Finalizohet operacioni policor i koduar “Poligoni”, arrestohen tre persona

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arritur që të finalizoj operacionin policor të koduar “Poligoni”, në kuadër të së cilit u arrestuan tre persona.

Sipas njoftimit, të arrestuar janë posedues të armëve të zjarrit dhe autor të dyshuar të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

“Në vijim të kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative së në Laç, Kurbin, në një banesë në afërsi të një poligoni kishte armë zjarri dhe i zoti i banesës kishte kultivuar kanabis në vazo lulesh, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Poligoni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve V. R., 48 vjeçar, V. R., 17 vjeçar (babë dhe bir), banues në Kurbin dhe A. L., 17 vjeçar, banues në Fushë Krujë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesës së shtetasit V. R., në Laç, u gjetën të kultivuar në vazo lulesh, disa fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Gjithashtu, gjatë operacionit Policia ka gjetur dhe sekuestruar brenda banesës së shtetasit të lartpërmendur, një armë zjarri automatike, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Materialet rreth këtij rasti i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.