Foto: Facebook / Qendra e Studentëve - Prishtinë

Fillon dezinfektimi i Konvikteve të Studentëve

Konviktet e Studentëve të Universitetit të Prishtinës kanë filluar të dezinfektohen.

Sipas drejtorit të Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, dezinfektimi i konvikteve dhe objekteve të tjera të Qendrës së Studentëve është duke u kryer sikur në të gjitha institucionet e tjera.

“Ka pastrim të konvikteve, sepse kur kanë dalë studentët kanë lënë shumë mbeturina. Konviktet po dezinfektohen sikur po dezinfektohen të gjitha institucionet e tjera në Kosovë”, tha Sfishta për KALLXO.com.

Drejtori i Qendrës së Studentëve mohoi se dezinfektimi po bëhet në kuadër të përgatitjeve, siç është përfolur sot në rrjete sociale, për t’i shndërruar konviktet në qendër karantine.

“Lajmi për karantinim nuk është i vërtetë dhe deri më tani nuk ka një vendim të tillë”, tha ai.

“Nuk ka asnjë vendim për karantinim, është dezinformatë e dorës së parë”, ka thënë Sfishta.

Sipas drejtorit, dezinfektimi i objekteve po bëhet në kuadër të masave mbrojtëse nga coronavirusi.

Lidhur me gjësendet e lëna nga studentët në konvikte, ai tha se ato janë të sigurta, sikur të ishin në shtëpitë e studentëve.