Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik në Universitetin e Prishtinës duke votuar pro grevës më 28.02.2024, Foto: KALLXO.com

Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të UP-së votuan pro vazhdimit të grevës

Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës më 28.02.2024 kanë votuar pro vazhdimit të grevës deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, grevistët kanë bërë kërkesa për dialog me UP-në, mirëpo Universiteti nuk është i interesuar për dialog.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Universitetit të Prishtinës rreth pretendimeve të Azemit, por deri në publikimin e këtij artikulli UP nuk ka kthyer përgjigje.

Rreth 250 punëtorë të UP-së janë në grevë nga data 16.02.2024. Ata po kërkojnë pagë më të lartë.

Emine Gashi, mirëmbajtëse në Fakultetin Juridik, është njëra nga grevistet që ka votuar pro vazhdimit të grevës.

“Ne e mbështesim grevën gjithqysh, nuk jemi të kënaqur me atë vendim që e ka bërë rektorati, atëherë do të vazhdojmë deri në plotësimin e kërkesave tona” – është shprehur Gashi për KALLXO.com.

Kurse, Jusuf Azemi ka deklaruar se në Universitetin e Prishtinës nuk kanë vërejtje sa i përket mbarëvajtjes së grevës, por në Qendrën e Studentëve, sipas tij, është duke u shkelur Ligji për grevën. Azemi tha se shkeljet i ka raportuar në Inspektorat të Punës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, duke mos ndarë shumë detaje, Inspektorati i Punës ka thënë se janë duke inspektuar rastin.

Kurse, kompania që operon në Qendër të Studentëve nuk ka qenë e qasshme kur është kontaktuar nga KALLXO.com në lidhje me pretendimet e Azemit.

“Dje kanë qitë disa kritere për paga të këtyre punëtorëve. Unë e kam marrë sot paradite, e kemi shqyrtu mirë herë me tensione, herë qetë dhe butë dhe definitivisht këta punëtorë në mënyrë unanime kanë vendosur që këtë opsion, këtë kriter, pagë që e kanë ofru t’ia kthejmë mbrapa rektorit dhe t’i themi – nën pagën minimum 400 euro së paku nuk ke nevojë të lodhesh me qitë tendere, sepse ne nuk pranojmë” – ka thënë Azemi.

Tutje, Azemi ka vlerësuar se nëse nuk ndryshon diçka në lidhje me këtë situatë, punëtorët grevistë do ta vazhdojnë grevën pa kufi.

Sa i përket shkeljeve të Ligjit të grevës, Azemi ka përmendur se punëtorët e Qendrës së Studentëve nuk janë lejuar ta mbajnë grevën në vendin ku e kanë mbajtur atë.

“Dje dhe sot kemi qenë të obliguar që t’i thërrasim Inspektoratin e Punës, sepse atje (Qendrën e Studentëve) po thehet Ligji mbi grevën. Merreni me mend që sot nuk na i kanë leju punëtorët me hy në vendin e tyre ku ata stacionohen për grevë” – ka treguar Azemi.

Si rezultat i kësaj, ai ka paralajmëruar se do ta padisin pronarin e kompanisë dhe drejtorin e Qendrës së Studentëve.

“Ne i kemi mbledhë argumentet të gjitha dhe sigurisht se me avokatin tonë që e kemi po e presim raportin zyrtar të Inspektoratit, sepse do t’i bëjmë padi edhe pronarit të kompanisë edhe drejtorit të Qendrës Studentore” – ka theksuar ai.

Në lidhje me padinë ndaj drejtorit të Qendrës së Studentëve dhe për situatën që pretendohet se është duke u krijuar nga kompania e mirëmbajtjes ndaj punëtorëve grevistë, KALLXO.com e ka pyetur Qendrën e Studentëve, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Sipas Ligjit për greva, në nenin 13 te mbrojtja e të drejtave të punësuarve gjatë grevës thuhet se “Gjatë grevës së organizuar sipas kushteve të përcaktuara me këtë Ligj, punëdhënësit nuk mund të punësojnë punëtorë të rinj të cilët do të zëvendësonin pjesëmarrësit në grevë.”

Ndërkaq, sipas nenit 25 në këtë Ligj, me gjobë prej pesëqind (500) deri në pesëmijë (5,000) euro dënohet për kundërvajtje, punëdhënësi apo personi juridik ose personi përgjegjës i personit juridik, në qoftë se pengon të punësuarit për të marrë pjesë në grevë, përdor masën e dhunës për të përfunduar grevën apo pranon punëtorë të rinj, të cilët do t’i zëvendësonin pjesëmarrësit e grevës.