Ferizaj, pranoi monedha nga 2 euro false - Policia heton rastin

Një grua ka raportuar tek organet e rendit se janë pranuar monedha të metalta nga 2 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Rasti ka ndodhur në Ferizaj.

Sipas raportit policor, monedhat janë sekuestruar dhe rasti është duke u hetuar.

Mirëpo, në raport nuk ceket shuma e plotë e monedhave të pranuara.

Më 17 janar 2024, Banka Qendrore e Republikës me qëllim të parandalimit të qarkullimit të monedhave false në Kosovë, ka hartuar manuale që tregojnë mbi veçoritë teknike dhe tiparet e sigurisë së kartëmonedhave dhe monedhave ‘Euro’.

Qarkullimi i monedhës 2 euro false në Kosovë ka marrë përmasa të mëdha që nga viti i kaluar.

BQK ka dhënë detaje mbi  veçoritë teknike dhe tiparet e sigurisë së monedhës 2 euro, se si qytetarët ta dallojnë atë.

Si një ndër metodat për identifikimin e monedhës false 2 euroshe, BQK ka cekur atë përmes testimit me magnet.

“Rrethi i brendshëm i monedhës 2€ ka veti të lehta magnetike, ndërsa rrethi i jashtëm nuk ka veti magnetike. Për të vërtetuar nëse monedha është origjinale provojeni atë me një magnet. Nëse monedha tërhiqet nga magneti vetëm në pjesën qendrore të monedhës, monedha është origjinale. Në përgjithësi monedha 2€ e falsifikuar ka veti të forta magnetike, nuk ka veti magnetike fare ose ka veti magnetike vetëm në rrethin e jashtëm”- thuhet në manual.

KËTU mund të gjeni manualin e plotë.

Ndërsa KËTU mund të gjeni manualet mbi monedhat dhe kartëmonedhat e tjera.