Ilustrim - Foto: Policia e Kosovës

BQK del me manual për identifikimin e monedhave false nga 2 euro deri në prerjen 500-she

Banka Qendrore e Republikës me qëllim të parandalimit të qarkullimit të monedhave false në Kosovë, ka hartuar manuale që tregojnë mbi veçoritë teknike dhe tiparet e sigurisë së kartëmonedhave dhe monedhave ‘Euro’.

Qarkullimi i monedhës 2 euro false në Kosovë ka marrë përmasa të mëdha që nga viti i kaluar.

BQK ka dhënë detaje mbi  veçoritë teknike dhe tiparet e sigurisë së monedhës 2 euro, se si qytetarët ta dallojnë atë.

Si një ndër metodat për identifikimin e monedhës false 2 euroshe, BQK ka cekur atë përmes testimit me magnet.

“Rrethi i brendshëm i monedhës 2€ ka veti të lehta magnetike, ndërsa rrethi i jashtëm nuk ka veti magnetike. Për të vërtetuar nëse monedha është origjinale provojeni atë me një magnet. Nëse monedha tërhiqet nga magneti vetëm në pjesën qendrore të monedhës, monedha është origjinale. Në përgjithësi monedha 2€ e falsifikuar ka veti të forta magnetike, nuk ka veti magnetike fare ose ka veti magnetike vetëm në rrethin e jashtëm”- thuhet në manual.

Ndërsa BQK ka dhënë detaje se si monedha 2 euro false mund të dallohet edhe përmes tingullit.

“Tek monedhat false ngjyra e arit dhe e argjendit janë më të theksuara, si dhe tekstura e materialit ndryshon nga ajo origjinale. Gjithashtu monedha false mund të ketë më shumë shkëlqim nga ajo origjinale. Monedha 2€ origjinale ka një relief dhe teksturë të theksuar duke mundësuar që përmes prekjes të dallohen detajet”- thuhet ndër të tjera.

KËTU mund të gjeni manualin e plotë.

Ndërsa KËTU mund të gjeni manualet mbi monedhat dhe kartëmonedhat e tjera.