Federata e Peshkatarëve, nën shoqërimin e policisë, fillon kontrollin në Liqenin e Ujmanit

Me qëllim të zbatimit të Ligjit të Peshkimit, Federata e Peshkatarëve të Kosovës nga sot ka filluar kontrollimin edhe në Liqenin e Ujmanit.

Anëtarët e Federatës, në shoqërim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga ora 14:00 kanë filluar kontrollin në këtë liqen, për të parandaluar shkeljet e mundshme.

Sipas kryetarit të Federatës së Peshkatarëve të Kosovës, Milaim Vitia ka më shumë se 20 vite që nuk kryhet ndonjë kontroll në këtë zonë.

“Para lufte një pesë vite, e pas lufte deri tash, 24 vjet, kurrkush nuk e ka kontrollu atë pjesë“ – ka thënë Vitia për KALLXO.com.

Vitia ka treguar se nga ana e Federatës së Peshkatarëve është bërë kërkesë që në kontrollet që do të kenë në të ardhmen prapë të jenë të shoqëruar nga policia.

“Për shkak që është rrezikshmëri pak atje ne kemi kërku qe çdo herë me qenë policia me neve” – ka thënë Vitia.

Tutje ai ka shtuar se Policia e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Federatës për të shoqëruar ata sot në Liqenin e Ujmanit.