Eurodeputeti gjerman: BE duhet të ia tregojë lidershipit serb kartonin e kuq

Eurodeputeti gjerman, Romeo Franz në një intervistë të shkurt me KALLXO.com ka folur për marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit duke thënë se ai ende nuk beson se ka marrëveshje reale sepse sipas tij, nuk ka nënshkrim nga palët.

Në takimin e  shkurtit në Bruksel dhe të atij të marsit në Ohër mes, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pati dakordim verbal për marrëveshjen dhe aneksin e zbatimin edhe pse dokumenti si i tillë nuk u nënshkrua nga dy liderët.

Franz konsideron se për këtë mundësi të humbur duhet fajësuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, teksa theksoi se kishte vullnet të mirë politik nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Edhe pse Kosova dhe Serbia e kishin pranuar zbatimin e Aneksit të Marrëveshjes, e cila është aq e rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ende nuk ka një marrëveshje reale, sepse nuk ka nënshkrim. Nga këndvështrimi im, është shumë e qartë se kush duhet të fajësohej për këtë mundësi të humbur; Presidenti Vuqiç i cili refuzoi të nënshkruante dokumentin, edhe pse kishte shumë vullnet të mirë politik dhe lëshime nga homologu i tij”- tha Franz në një bisedë me KALLXO.com.

Në Bruksel momentalisht është duke u mbajtur takimi mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq. Në këtë takim pritet të diskutohet për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Franz, Bashkimi Evropian duhet të ketë një qasje të re ndaj Serbisë dhe shton se tashmë është e neojshme “ t’i tregojmë lidershipit serb kartonin e kuq”.

“BE-ja duhet të ushtrojë presion në anën nëse i mungon besueshmëria; pra tek Presidenti Vuçiq. Politika qetësuese e BE-së ka dështuar këtu dhe ne duhet t’i tregojmë lidershipit serb kartonin e kuq, është koha për një qasje të re të BE-së ndaj Serbisë” – deklaroi eurodeputeti Franz për KALLXO.com.

Anëtari i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, thotë se një “dënim” i mundshëm ndaj palës që refuzon nënshkrimin, është ndalimi i mbështetjes financiare.

“Përgjegjësia tani bie në duart e Serbisë. BE gjithashtu duhet të jetë shumë më strikte dhe të veprojë në përputhje me rrethanat; një pasojë e mundshme mund të jetë ndalimi i mbështetjes financiare të BE. Kjo është një gjuhë që zoti Vuçiç mund ta kuptojë”- është shprehur ai për KALLXO.com.

Sa i përket takimit të sotëm mes kryenegociatorëve, Franz tha se mirëpret të gjitha përpjekjet e emisarit special, Miroslav Lajçak në raport me dialogun.

Eurodeputeti gjerman tha se shpreson që Lajçak do të bëjë presion të mjaftueshëm politik ndaj Serbisë, që në fund të ketë rezultate më të detyrueshme.

“Mendoj se në takimin e nesërm do të prezantohen hapat e mëtejshëm për të filluar punën për zbatimin e dispozitave të marrëveshjes. Por unë vërtet shpresoj që Lajçak gjithashtu do të bëjë presion të mjaftueshëm politik ndaj Serbisë dhe se në fund do të ketë rezultate më të detyrueshme, nga të dyja palët, por veçanërisht nga Serbia” – tha në mes tjerash Franz.

Në këtë takim, siç është paralajmëruar, palët pritet të diskutojnë për hapat drejt zbatimit të aneksit të marrëveshjes së dakorduar në Ohër.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Plani i Bashkimit Evropian është përkrahur nga Franca, Gjermania, Italia e SHBA-të, është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Përmbajtja e këtij plani është bërë publike tek më 27 shkurt të këtij viti.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila kërkohet më urgjencë si nga Serbia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Përmbajtja e planit franko-gjerman

BE publikon aneksin e zbatimit të marrëveshjes