Takimet në Bruksel, 22 shkurt 2022, Foto: Twitter

Sot në Bruksel pritet të takohen Bislimi dhe Petkoviq

Zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, sot pritet të takohet me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Ky takim do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në Bruksel.

Në këtë takim, siç është paralajmëruar, palët pritet të diskutojnë për hapat drejt zbatimit të aneksit të marrëveshjes së dakorduar në Ohër.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për ankesin e zbatimit të planit të Bashkimit Evropian i njohur ndryshe si plani franko-gjerman.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Plani i Bashkimit Evropian është përkrahur nga Franca, Gjermania, Italia e SHBA-të, është diskutuar në publik që nga shtatori i vitit të kaluar.

Përmbajtja e këtij plani është bërë publike tek më 27 shkurt të këtij viti.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila kërkohet më urgjencë si nga Serbia ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi dhe sipas tij nuk duhet copëtuar “duke marrë pjesët e preferuara”.

“Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe as të aneksit, njësoj nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes. Prandaj marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesët e preferuara ndërkaq tek fjala juaj që e përdorni urgjencë është tek fjalia që ka të bëjë me të pagjeturit”- ka thënë Kurti.

Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, udhëton për në Bruksel, do të takohet me ‘homologun’ serb