Barrikadat në Zupçe. Foto: KALLXO.com

EULEX konfirmon se në tensionet e 31 korrikut në veri pati njerëz të armatosur

Në tensionet që u krijuan në pjesën veriore të Kosovës më 31 korrik të këtij viti, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se ka pasur edhe njerëz të armatosur.

Në një përgjigje për KALLXO.com, EULEX ka thënë se nga ana e tyre është vënë në dukje një prani e konsiderueshme dhe shqetësuese e personave të armatosur në barrikadat që u ngritën në veriun e Kosovës.

“Më 31 korrik, EULEX-i vuri në dukje një prani të konsiderueshme dhe shqetësuese të armatosur në barrikadat e ngritura në veri të Kosovës” – ka thënë EULEX për KALLXO.com.

Sipas këtyre të fundit, për shkak të situatave që u krijuan, në formë përgjigje, EULEX-i vendosi që t’i shtojë më tej patrullat e veta në veri të Kosovës.

Edhe katër ditë bëhen tre muaj që nga krijimi i këtyre tensioneve, e që fatmirësisht, sipas EULEX, nuk është hasur në një situatë të njëjtë siç ishte ajo e 31 korrikut 2022.

Në datën e lartcekur, serbët lokal të veriut të Kosovës kishin filluar që të mblidheshin e të krijonin tensione për të shprehur pakënaqësitë që kishin ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Në mbledhjen e 29 qershorit të 2022-ës të Qeverisë së vendit, këta të fundit morën vendim që të aplikojnë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur do të hynin në Kosovë do të pajiseshin me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Vendimi do të hynte në fuqi më 1 gusht 2022, mirëpo ende pa ardhur mesnata, pra më 31 korrik 2022, mobilizimi i serbëve lokal të veriut të Kosovës veç se kishte filluar.

Alarmi që u lëshua tri herë brenda ditës, 9 barrikadat që u vendosën nga persona të maskuar e vështirë të verifikueshëm, sulmet ndaj qytetarëve që më pas u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës bën që në kryeqytet Qeveria të takohej me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.

Pas takimit, kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri më datën 1 shtator 2022.

Më pas, vetëm katër ditë para se të hynte prapë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për dokumentet hyrje/dalje për qytetarët e Serbisë, më 27 gusht 2022, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi se për këtë çështje u arrit një marrëveshje në mes dy vendeve fqinje, Kosovë-Serbi.

Ai kishte njoftuar se sipas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia kishte rënë dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe se Kosova ishte pajtuar që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe.

Kështu kishte shkruar Borrell në Twitter, duke shtuar se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

Ky nuk ishte vendimi i vetëm i Qeverisë së Kurtit që u morr më 29 qershor, e që hyri në fuqi më 1 gusht për tu shtyrë më pas deri më 1 shtator.

Qeveria kishte vendosur po ashtu që pronarët e automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Zbatimi i këtij vendimi hyri në fuqi më 1 shtator 2022, dhe pritet që të mbarojë më 31 tetor 2022.

Pas kësaj date, pati vazhdimisht video mesazhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në të cilat i bëhej thirrje qytetarëve serb të Kosovës që t’i regjistronin veturat e tyre me tabela të Republikës së Kosovës (RKS) nga ato ilegale.

Por, siç duket video mesazhet nuk kanë pasur ndikim, pasi që deri më datën 20 tetor 2022, vetëm 13 vetura janë regjistruar me RKS nga qytetarët serbë.

Deri në përfundimin e paraparë për regjistrim të veturave kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë, pra deri më 31 tetor 2022.

Në anën tjetër, më 19 tetor 2022 u raportuar se i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kishte kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, të shtyhet vendimi për targat.

Escobar në një intervistë për Prime Time të Kanal 10, tha se afati është kërkuar të shtyhet për 10 muaj të tjerë.

Dy ditë pas kësaj deklarate, më 21 tetor 2022 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte thënë se temë për targat është ende duke u diskutuar dhe në esencë është çështje e sundimit të ligjit.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, për KALLXO.com është thënë se pas datës 31 tetor, qarkullimi me tabela ilegale nuk do të lejohet brenda territorit të Kosovës.

Sipas përgjigjes së tyre, një veprim i tillë parashihet edhe me legjislacionin në fuqi, duke shtuar se qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikë kalimet kufitare.

Në përgjigjen e EULEX-it u tha se kanë monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Sipas tyre, Njësia e tyre e Formuar Policore, e cila përbëhet nga 105 policë, po kryen patrullime ditore në veri të Kosovës për të rritur vetëdije për situatën.

EULEX shtoi se si reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës, mbajnë koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in, përkatësisht reaguesin e parë dhe të tretë të sigurisë në Kosovë.

Ata thanë se nëse kërkohet nga Policia e Kosovës, EULEX-i është i gatshëm të veprojë me vendosmëri si reagues i dytë i sigurisë për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të mbrojtur këdo nga çfarëdo kërcënimi – pa marrë parasysh përkatësinë etnike, moshën apo gjininë.

EULEX tha se Forca e tyre e Reagimit të Shpejtë është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë dhe se nëse është e nevojshme, ata mund të vendosin njësi policore shtesë të formuar nga rezerva për të rritur më tej forcat e saj në terren dhe kapacitetin operacional.

Tutje u tha se për të testuar gatishmërinë operacionale dhe për të siguruar koordinim të ngushtë të të gjithë reaguesve të sigurisë, EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës kryejnë stërvitje të rregullta të përbashkëta.

Sipas tyre, siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe thanë se do e bëjnë atë që është e nevojshme dhe çfarë duhet për të mbështetur stabilitetin e Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e popullatës së saj.