Takimi i 18 gushtit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

Borrell: Arrihet marrëveshja Kosovë- Serbi për dokumentet

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”- ka shkruar Borrell në Twitter.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Borrell ka thënë se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

“Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe udhëheqjen e tyre”- tha tutje Borrell.

Qeveria e Kosovës më 29 qershor pati vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Vendimi për dokumentet kërkon lëshimin e një dokumenti për hyrje/dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë.

Një dokument të tillë Serbia e lëshon për shtetasit e Kosovës që 11 vjet.
Më 31 korrik serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator, ndërsa barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit. Më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilluan takimin e fundit të ndërmjetsuar nga BE, në të cilin nuk arriten marrëveshje.

Kosova vendos reciprocitet për qytetarët e Serbisë, duhet të pajisen në kufi me fletë-deklarim që zëvendëson letërnjoftimet