Vajzat e ekipit U-17 të Kosovës në volejboll, duke festuar gjatë ndeshjes kundër Moldavisë në Ankara të Turqisë, 20 janar 2023.

'Është vetëm fillimi' - Volejbollistet e Kosovës të etura për më shumë suksese

“Po bëmë punë të mirë, të fortë, të lozim bashkë… vijnë edhe rezultatet”, ishin fjalët e trajnerit të ekipit U-17 të vajzave të Kosovës në volejboll, Donald Suxho. Kjo fjali u ndoq nga të bërtitura e lot gëzimi nga vajzat që e kuptuan se atë ditë kishin arritur një sukses historik.

Vetëm disa orë më parë – në orën 15:00, më 22 janar – ato vajza nisën ndeshjen kundër Malit të Zi në sallën Bestepe në Ankara të Turqisë.

Fitorja me rezultat 3:0 – ku vajzat e Kosovës fituan tri sete me rezultate 25:13, 25:23 dhe 25:21 kundër Malit të Zi – bëri që Kosova ta ketë për herë të parë një skuadër pjesëmarrëse në rundin e dytë të kualifikimeve për Kampionat Evropian.

Kapitenia e kësaj skuadre, Megi Bislimi, beson se kjo arritje erdhi si rezultat i punës së bërë dhe tani synon për suksese të tjera.

“Besoj që të gjitha ato që i kemi bërë në ushtrime, i kemi shfaqur edhe në lojë. Ne e kemi dhënë maksimumin dhe besoj që ajo energjia dhe mundi na u shpërblyen në fund. Synimet mbeten gjithmonë të njëjta: vetëm fitore. Pse të mos kualifikohemi edhe më tutje?!”, thotë 14-vjeçarja për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, trajneri Donald Suxho – i cili ishte pjesë e ekipit kombëtar të SHBA-së në volejboll në Lojërat Olimpike në vitet 2004 dhe 2012 – thotë se ai nuk kishte menduar se do ta arrinin një sukses të tillë.

“Ka qenë një gjë fantastike, unë jam shumë i emocionuar. Por, më shumë jam i emocionuar për vajzat dhe për Kosovën”, thotë Suxho për REL-in, teksa shton se në skuadrën e tij kishte shumë vajza që nuk kishin dalë kurrë jashtë Kosovës deri atëherë.

Ai thotë se gjatë punës ishte përqendruar në përforcimin e skuadrës në aspektin psikologjik dhe në mënyrën se si luajnë bashkë gjatë ndeshjeve.

“Unë nuk i forcova shumë në anën teknike, e mora përsipër ta bëjmë një strukturë, ta bëjmë një sistem se si do të lozim brenda lojës. I lashë të jenë të lira, por të luajnë të lira brenda një sistemi, brenda një strukture si ekip”, shton 46-vjeçari, i lindur në Korçë të Shqipërisë.

Suxho e ka zhvilluar karrierën e tij në volejboll fillimisht si lojtar e më vonë si trajner në SHBA, ku familja e tij kishte emigruar në vitin 1996.

Një lëndim ia kishte pamundësuar pjesëmarrjen në ekipin e SHBA-së dhe në Lojërat Olimpike në vitin 2008, por tani ai po shfrytëzon përvojën e tij për t’i këshilluar vajzat e ekipit U-17 të Kosovës.

“Përvoja më ka treguar që nuk dihet kurrë e ardhmja. Kur kam qenë 15 vjeç – dhe këtë ua kam thënë edhe gocave – s’kisha as ëndrra dhe nuk dija ku do të shkoja dhe, dy vjet më vonë, ndryshuan të gjitha dhe m’u hap e gjithë bota. Ky është një mësim i madh për të gjithë ne”, thotë Suxho.

Ai u emërua në pozitën e trajnerit të ekipit U-17 të vajzave të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar. Ofertën thotë se e pranoi pasi dëshiron ta ndihmojë sportin në Kosovë e Shqipëri.

“Për mua, kur ma dhanë ofertën, ishte një nder dhe kemi një mundësi t’i ndryshojmë jetët [e lojtareve] dhe kjo është një gjë fantastike”, thotë ai.

Megi Bislimi, vajza me ëndrra të mëdha

Kapitenia e skuadrës që drejton Suxho, Megi Bislimi, thotë se nuk ka dyshuar asnjëherë se volejbolli është karriera e duhur për të.

E lindur në një familje sportistësh – babai i saj kishte karrierë në basketboll, ndërsa nëna në volejboll – ajo nisi rrugëtimin e saj në botën e sportit qysh në moshën gjashtëvjeçare.

“Ky është vetëm fillimi i karrierës sime. Unë besoj që e kam nisur karrierën me fillime shumë të mbara. Besoj që jam duke e bërë të lumtur familjen, shoqërinë dhe pse jo edhe të gjithë shqiptarinë”, thotë 14-vjeçarja, e cila luan për ekipin e parë të klubit Drita.

Gjilanasja, që kishte debutuar me ekip të parë të Dritës kur ishte vetëm 12 vjeçe, beson se raportet e mira që kishin ndërtuar vajzat dhe trajnerët e skuadrës, ua sollën fitoren.

“Aty jemi si motra – në fushë dhe jashtë fushës. Besoj që kjo na bën të korrim edhe suksese bashkë. Trajneri ka qenë shumë i mirë, shumë i afërt me ne. Besoj që edhe ai ka qenë një faktor që ne kemi korrur suksese”, shton ajo.

E gjatë 190 centimetra, Bislimi synon lartësitë më të mëdha në sportin e volejbollit, ku mendon të fokusohet gjithë jetën e saj.

“Ëndërr e kam të bëhem lojtarja më e fortë në botë, sepse besoj që i kam të gjitha mundësitë të bëhem”, përfundon ajo./REL