Foto: REL/AFP

Presidenti i Gjermanisë uron 16-vjetorin e Pavarësisë, përmend zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka dërguar telegram urimi presidentes së vendit Vjosa Osmani, me rastin e shënimit të 16-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Në këtë urim, presidenti Steinmeier ka theksuar se që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm dhe ka tejkaluar me sukses sfida të mëdha.

“Përkushtimi juaj i qartë për vlerat demokratike, pikërisht edhe pas nisjes së luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, e nënvizon vendin e Kosovës në bashkësinë e vlerave europiane” – thuhet në urimin e presidentit Steinmeier.

Steinmeier ka përmendur edhe forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dy detyra që duhet të mbeten thelbësore për Kosovën, për ta forcuar më tej ekonominë dhe për të përshpejtuar përafrimin me Bashkimin Europian.

Përveç kësaj, ai ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit dhe njohjen e tabelave të automjeteve me simbole shtetërore të Kosovës nga Serbia.

“Progresi në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit është gjithashtu vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe mbarë Ballkanit Perëndimor. Unë i gëzohem sukseseve të arritura rishtaz, si marrëveshja për njohjen e tabelave të automjeteve dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes së energjisë” – ka shkruar presidenti Steinmeier.

Më 18.03.2023, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon, gjithashtu nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria e Kosovës e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Nga 01.01.2024 automjetet me targa të Kosovës janë lejuar të futen në Serbi pa i mbuluar simbolet shtetërore të Kosovës dhe anasjelltas.

Njoftimi për qarkullim të lirshëm në Serbi të automjeteve me targa RKS e kishte bërë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ndërkaq, më 04.01.2024, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike, ka miratuar vendimin për largimin e letrave ngjitësve nga targat e automjeteve të qytetarëve të Serbisë.

Ndërsa, sa i përket marrëveshjes së energjisë, nga data 01.01.2024 në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.

Më 21.06.2023, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Si përfundim, presidenti gjerman ka deklaruar se Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës.

“Gjermania do të mbetet një partner i besueshëm dhe i fuqishëm i Kosovës edhe në të ardhmen, dhe do ta mbështesë vendin tuaj me aq sa mundet në hapat tjerë drejt një të ardhme paqësore, europiane” – ka bërë të ditur Steinmeier.

Presidentja Osmani ka pranuar urim edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, presidenti i Francës, Emmanuel Macron , presidenti italian Sergio Mattarella si dhe liderë të tjerë.

Kosova është shpallur e pavarur më 17.02.2008, në 15:39h në Kuvendin e Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi lexoi deklaratën e shpalljes së pavarësisë.