Macron uron Ditën e Pavarësisë: Vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Europian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë urimin për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Presidenca ka bërë të ditur se urimi i presidentit Macron është përcjellë me mesazhin se vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Europian.

“Në letrën e urimit dërguar presidentes Osmani, presidenti Macron përshëndet dinamizmin e Kosovës dhe përparimin mbresëlënës të bërë që nga shpallja e pavarësisë, duke thënë se vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Europian”- thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës të datës 16.02.2017.

Në letrën e presidentit francez thuhet se në vitin 2024 kontinenti europian do të përballet nga sfida të shumta. Duke përmendur agresionin rus në Ukrainë, stabilitetin në Lindjen e Mesme, Macron potencoi edhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në këtë kontekst shumë të pasigurt ndërkombëtar, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përbën një sfidë parësore” – thuhet në letrën e Macron.

Në letrën e urimit Macron ka thënë se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër.

“Duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve” – vazhdon letra.

Macron e ka përmbyllur letrën duke thënë se shpreson që Kosova të marrë vendime të guzimshme.

“Që janë të nevojshme dhe që do t’i mundësojnë të përparojë në trajektorën e saj europiane” – përfundon letra.