Takimi Mbreti Mbreti Charles III me Vjosa Osmani. Foto: Facebook/ Vjosa Osmani.

Mbreti Charles III i dërgon urim presidentes Osmani për 16 vjetorin e pavarësisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ka pranuar telegram urimi edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III.

Në letrën e tij, Mbreti Charles III ka thënë se vlerëson lidhjen në mes të shteteve tona, duke theksuar se shpreson se do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë në çështjet e rëndësishme globale.

“Ndërsa ju dhe populli i Republikës së Kosovës festoni rastin e veçantë të Ditës suaj të Pavarësisë, unë dhe bashkëshortja ime kemi kënaqësi të madhe t’i përcjellim urimet tona të përzemërta Shkëlqesisë suaj dhe popullit kosovar. Bashkëshortja ime dhe unë dëshirojmë të shfrytëzojmë këtë rast që ju dërgojmë juve dhe të gjithë kosovarëve urimet tona më të ngrohta për vitin e ardhshëm” – thuhet në urimin e plotë të Mbretit Charles III të dërguar më 16.02.2024.

05.02.2024 është bërë e ditur nga Pallati Mbretëror se Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar është diagnostikuar me një lloj kanceri.

11.02.2024 Mbreti Charles është parë të dielën duke shkuar në kishë, në paraqitjen e tij të parë prej kur Pallati Buckingham ka njoftuar se ai është diagnostikuar me kancer.

Presidentja Vjosa Osmani me rastin e përvjetorit të Pavarësisë ka marrw mesazh edhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili i ka dërguar shefes së shtetit kosovar, Vjosa Osmani, një telegram urimi me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

Në këtë letër, Biden më 16.02.2024 ka shkruar se SHBA vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quan, “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.