Vjosa Osmani dhe Sergio Mattarella, Foto: ZPRK

Presidenti italian uron Ditën e Pavarësisë së Kosovës, kërkon normalizimin e raporteve me Serbinë

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, e ka uruar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Mattarella ka thënë se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e plotë të Italisë në anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian.

“Kosova mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e plotë të Italisë në antarësimin e saj në BE. Sidoqoftë, në mënyrë që ky qëllim strategjik të arrihet me suksesin e dëshiruar, përpjekje konstruktive dhe të ripërtrira në nivel të reformave dhe në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë janë të nevojshme” – ka theksuar në urimin e tij, presidenti Mattarella.

Më tej, në këtë urim Mattarella ka konfirmuar se Italia do të qëndrojë përkrah Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe sigurinë e saj.

Presidentja Osmani ka pranuar urim edhe nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, presidenti i Francës, Emmanuel Macron e liderë të tjerë.

Kosova është shpallur e pavarur më 17.02.2008, në 15:39h në Kuvendin e Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi lexoi deklaratën e shpalljes së pavarësisë.