Elbert Krasniqi po hetohet për kanosje ndaj dy personave, të cilët pretendojnë se ai ka vendosur dorën në armë

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, po hetohet për kanosje ndaj dy personave.

Rasti dyshohet se ka ndodhur në Pejë, më 23.11.2025.

Lajmin e konfirmoi për KALLXO.com, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës.

“Me urdhër të prokurorit është iniciuar rast për veprën penale të kanosjes. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”- theksoi ai.

Sipas viktimave, Krasniqi e ka vendosur dorën në armë gjatë incidentit, mirëpo siç thot zëdhënësi i Prokurorisë “kjo mbetet të vërtetohet”.

KALLXO.com mëson se viktimat janë L.M. dhe R.M.