Edward Joseph. Foto: OSBE

Edward Joseph për situatën në veri: Kryeministri i Kosovës meriton kritika, mirëpo SHBA e ka kaluar limitin

Analisti amerikan i politikës së jashtme Edward Joseph i ka quajtur kriminelë protestuesit serbë në veri.

Këtë ai e ka thënë në një intervistë për median Al Jazeera gjersa është pyetur për tensionet në veri.

“Është mjaft domethënëse. Është sjellje e egër. NATO në fakt u frenua duke i etiketuar këta individë si protestues kur në fakt ata janë kriminelë. Kjo është sjellje kriminale. Nuk është një protestë. Ne e dimë këtë fakt dhe zyrtarët amerikanë e dinë këtë po ashtu” – është shprehur Joseph.

Ai ka thënë se situata me tensionet që po ndodhin në veri të Kosovës kontrollohet nga Beogradi.

“Kjo situatë kontrollohet nga Beogradi pasi Beogradi i kontrollon strukturat kriminale që dominojnë në veri dhe ne sot e shohim këtë shfaqje të turpshme teka rrihen ushtarët e KFOR-it që ishin atje si paqeruajtës, duke mos u përpjekur të mbajnë anën e askujt” – tha ai teksa shtoi se edhe autoritetet e Kosovës mbajnë përgjegjësi për gjendjen.

“Kjo nuk do të thotë se autoritetet e Kosovës nuk e mbajnë një pjesë të përgjegjësisë këtu dhe kryeministri Kurti i ka injoruar thirrjet e SHBA-ve dhe partnerëve të saj në BE që të përmbahen dhe të jenë shumë të matur në qasjen në veri dhe kjo na sjell në gjendjen që kemi sot”.

Al Jazeera e ka pyetur analistin amerikan edhe për kritikat që ka marrë Qeveria e Kosovës nga ndërkombëtarët pasi ka marrë vendim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave në veriun e Kosovës të paraqitën në zyrtet e tyre në ndërtesat e komunave.

Për këtë Joseph ka thënë se pavarësisht që edhe kryeministri i Kosovës meriton Kritika, sipas tij SHBA e ka kaluar limitin.

“Kryeministri i Kosovës meriton kritika, mirëpo SHBA e ka kaluar limitin. Kjo kritikë shumë e ashpër thotë se marrëdhëniet Kosovë-SHBA do të dëmtoheshin nga ky veprim i Kosovës. Mos harroni këtu, ligjërisht Kosova është në të drejtën e saj” – ka thënë analisti amerikan.

“Ata kanë të drejtë. Serbët i bojkotuan këto zgjedhje që çuan në zgjedhjen e këtyre katër kryetarëve të komunave, mirëpo SHBA u tregua shumë e ashpër në reagimin e saj duke thënë se marrëdhëniet me SHBA-në do të dëmtoheshin nga kjo” – ka shtuar ai.

Sipas Joseph, ky reagim nga ana e SHBA-së ishte një dritë jeshile në mënyrë efektive për Presidentin Vuçiq që më pas ai të ndërhyjë dhe ta përshkallëzojë situatën edhe më tej dhe pastaj të përpiqet t’ia hidhte fajin kryeministrit Albin Kurti.

“Duhet mos harruar se presidenti i Serbisë Vuciq është ai që e ka minuar situatën në Kosovë edhe pasi pranoi njohjen defakto të Kosovës në mars të këtij viti falë ndërmjetësimit të BE-së dhe SHBA-së. Ky është konteksti në të cilin ne operojmë, por kjo nuk do të thotë se Kosova nuk e ka një pjesë të fajit këtu” – ka theksuar ai.

Joseph ka komentuar edhe deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili ka thënë se ushtria e tij është në gjendje gatishmëre në kufirin me Kosovën.

Për këtë Joeph ka thënë se kjo vetëm sa ka kontribuar që atmosfera të tensionohet edhe më shumë dhe ka theksuar se kjo është gjëja e fundit që i duhet Kosovës apo Serbisë në këtë situatë.

“Duhet ta them edhe tani këtu se e gjithë kjo vjen në kohën kur presidenti Vuçiq është nën presion të jashtëzakonshëm në Serbi me demonstrata të paprecedenta kundër qeverisë së tij” – ka thënë analisti amerikan.

“Kështu që të gjitha këto tensione në Kosovë vijnë si dhuratë për Presidentin Vuçiq ku ai mund të përpiqet të veprojë si një patriot i madh, si mbrojtësi i Kosovës, mbrojtësi i serbëve të Kosovës, pikërisht në momentin kur është nën presion të madh në Serbi” – ka shtuar ai.

Që nga 26 maji në komunat me shumicë serbe të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë shkaktuar tensione pasi Policia e Kosovës u ndihmoi kryetarëve shqiptarë të këtyre  komunave që të futen në zyrat e tyre komunale, më 26 maj.

Në këto komuna kanë ndërhyrë edhe Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ndërkaq, dje në Zveçan ka pasur edhe përleshje mes proteuseve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, ku dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë mbetur të lënduar.

Protestuesit serbë janë mundur ta pengojë edhe punën e mediave duke përdorur forcë për t’i shtyrë dhe larguar gazetarët.

Po ashtu, edhe automjete të disa mediave janë demoluar.

Përgatiti: Nuhi Shala