Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë, Foto: Arbrita Uka/KALLXO.com
Orari i linjave të autobusëve - Ora e mësimit vetëm 40 minuta në Shkollat e Mesme në Gjakovë
Pas raportimit se orari i linjave të autobusëve nuk po përputhet me orarin e mësimit të katër Shkollave të Mesme të Larta në Gjakovë ora e mësimit tashmë për nxënësit e këtyre Shkollave do të vazhdojë të mbahet 40 minuta.
Kështu është vendosur në mbledhjen në mes Eranda Kumnova-Baçit, Drejtoreshës së Arsimit në Gjakovë dhe katër Drejtorëve të Shkollave të Mesme të Larta në këtë qytet, të premten, më 25.04.2025.
Sipas Nenit 10 të Udhëzimit Administrativ 10/2015 të Ministrisë së Arsimit, kohëzgjatja e orës së mësimit të rregullt është 45 minuta dhe ajo mund të modifikohet me pëlqim të MASHTI-t.
Ndrec Përlleshi, ekspert për Arsim në zyrë të Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, përmes telefonit tha për KALLXO.com se pasi ta verifikojë se është vendosur të mbahet ora e mësimit 40 minuta nga DKA – Gjakovë, do ta përcjellë lëndën në Inspektorat të Arsimit në Pejë, për shkak të mungesës së inspektorëve në Gjakovë.
Drejtoresha Kumnova-Baçi e ka arsyetuar mbajtjen prej 40 minutash të orës së mësimit, duke thënë se ka Shkolla Profesionale edhe me 7 orë mësimi, si dhe ka Shkolla të Mesme, të cilat përfundojnë mësimin në ora 20:25.
Kumnova-Baçi kishte deklaruar për KALLXO.com se shumica e nxënësve në Gjakovë udhëtojnë edhe nga fshatrat për në qytet në Shkolla të Mesme dhe se linja e fundit e autobusit për secilin fshat është në ora 18:00.
Për këtë arsye ata kanë njoftuar se kanë marrë ankesa nga prindërit, të cilët kanë kërkuar që ora e mësimit të jetë 40 minuta dhe jo 45 minuta, pasi nxënësit nuk kanë linja të autobusëve që të kthehen në shtëpi pas përfundimit të mësimit.
“Në takimin me Drejtorët e Shkollave të Mesme jemi dakorduar që mësimi të vazhdojë me 40 minuta për disa arsye: Shkollat Profesionale me 32 orë në javë, që i bie orari mësimor t’i ketë edhe 7 orë mësimi; Infrastruktura shkollore jo e mjaftueshme për zhvillimin e mësimit në një ndërrim dhe në dy ndërrime; disa Shkolla të Mesme përfundojnë në ora 20.25. Përpos linjave të autobusëve komunal që mund të zhvendoset, ne kemi nxënës nga Komunat, si Rahoveci, Malisheva, Juniku e Deçani, që rezulton të jetë i pamundur udhëtimi.” – është përgjigjur me shkrim Kumnova-Baçi, më 28.04.2025.
Kur është pyetur nëse ka mundësi Komuna e Gjakovës që t’iu sigurojë transportin nxënësve të Shkollave të Mesme të Larta që vijnë nga fshatrat në qytet, Kumnova-Baçi ka thënë se “mbasi kanë mbetur pesë javë mësimi, po e përfundojmë kështu. Dhe, pastaj kemi kohë që për 1 shtator ta rregullojmë”.
Kumnova-Baçi tha po ashtu se kanë biseduar edhe me Kompanitë e autobusëve për këtë çështje dhe sipas saj nuk është problem për ta që ta ndryshojnë orarin e linjave të autobusëve brenda Komunës.
Ajo tha se ia kanë dërguar Formularët e përfundimit të oërve të mësimit Përlleshit. Kurse, Përlleshi ka thënë se zyrtarisht ende nuk është informuar se DKA Gjakovë ka vendosur që Shkollat e Mesme të Larta ta mbajnë orën e mësimit 40 minuta.
“Nuk hyn kjo në inspektimet emergjente, po është tematike. Menjëherë do ta paraqesë, kështu që në planifikim për m’u realizu një inspektim, me verifiku gjendjen se si është tu funksionu, se përndryshe na duhet në mënyrë reale, edhe zyrtarisht me konstatu gjendjen.” – tha Përlleshi, më 28.04.2025.
“Inspektorati (i Arsimit) i rekomandon që menjëherë me e kthy orarin sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar: 45 minuta.” – ka shtuar Përlleshi.
Yllka Juniku-Shehu, Drejtoreshë në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë, e ka konfirmuar se deri në shtator të këtij viti do ta mbajnë një orë të mësimit 40 minuta dhe se deri atëherë u është premtuar se do të rregullohet kjo çështje.
Sipas Juniku-Shehut asnjë prej Drejtorëve të Shkollave të Mesme në mbledhjen me Kumnova-Baçin më 25.04.2025 nuk kanë kërkuar që Komuna e Gjakovës t’iu mundësojë transport atyre nxënësve të cilët kanë nevojë të udhëtojnë nga shtëpitë e tyre në fshatra deri në qytet.
“Na duhet me siguri me shku me një Kërkesë të përbashkët Shkollat e Mesme. Po atë ditë nuk është që kemi diskutu këtë çështje. Vetëm e kemi marrë një vendim pak ma urgjent, se çka me vendosë.” – ka thënë Juniku-Shehu.
Juniku-Shehu nuk beson se do të kenë probleme me Inspektoratin e Arsimit për mosmbajtjen e orës së mësimit 45 minuta dhe u arsyetua se si Shkollë e Mesme e Lartë do të duhej të punonin vetëm në një ndërrim, por në fakt kanë dy ndërrime, e të cilat mendon se në vazhdimësi mund të paraqesin probleme të tilla.
Juniku-Shehu tregoi se as tema e zëvendësimit të minutave që humbin nxënësit nuk është diskutuar në mbledhjen me Kumnova-Baçin, më 25.04.2025, por pritet ta diskutojnë.
“Nuk besoj që ka m’iu prishë punë, për shkak se në qoftë se mësimdhënësi është d.m.th. jep profesionalitet për pesë minutëshin e fundit nuk besoj që është naj, d.m.th. ka mundësi m’u realizu ora mësimore për 40 minuta; në qoftë se shkojnë me kohë, d.m.th. kur bjen zilja, shkojnë me kohë në orë të mësimit.” – ka theksuar Juniku-Shehu.
Gjimnazi “Hajdar Dushi” në Gjakovë numëron 900 nxënës, që sipas Juniku-Shehut rreth 40% të tyre vijnë nga fshatrat.
Linda Dula, Kryetare e Këshillit të Prindërve në nivel të Komunës së Gjakovës, ka thënë për KALLXO.com se është informuar përmes mediave se deri në shtator do të mbahet ora e mësimit 40 minuta.
Dula tha se nuk është kontaktuar nga ndonjë prind për këtë çështje, por do ta organizojë një mbledhje me Kryetarët e Këshillave të prindërve të Shkollave të Mesme të Larta në Gjakovë për të diskutuar.
“Duhet me këqyr, ndoshta brenda kësaj jave. Nuk po mundem me tregu, me ditë saktë, se nuk e di qysh e tek, derisa aranzhohen secili, salla (për mbledhjen) sa gjendet, e këto për me mbajt një mbledhje. Po, te shohim!” – tha Dula.