Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

E rrahu gruan edhe pse kishte urdhër mbrojtje nga Gjykata, 6 muaj burgim me kusht

“Ti je k….., ke kaluar me tjerë, kam me të mbytë”, i kishte thënë F. P. gruas së tij, ditën e 25 marsit të këtij viti.

Përveç ofendimeve dhe kërcënimeve, tashmë i dënuari kishte goditur me grushte dhe shqelma gruan e tij në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin- përshkruhet në dosjen e gjykatës të datës 12 majit të këtij viti.

Për këto veprime, personi ka pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar, i cili pranim është aprovuar nga prokuroria, e dëmtuara-gruaja e tij, Zyra e mbrojtjes së viktimave dhe gjykatësja e rastit Benita Berisha.

Lidhur me akuzën e lëndimit të lehtë trupor, gjykata shqiptoi dënim me kusht prej 6 muajsh burgim, i cili nuk do të ekzekutohet nëse personi nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti.

Përveç dhunës, ai kishte shkelur edhe urdhrin e gjykatës, kjo e fundit e kishte obliguar me aktvendim më 21.03.2023 kryerësin e dhunës mos ta shqetësonte gruan e tij apo ndaj saj të shkaktonte dhunë fizike.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 19.04.2023, Prokurori i Shtetit kishte bërë rikualifikimin e aktakuzës.

Tek vepra e dytë “Shkelja e urdhrit mbrojtës” nga neni 25 të Ligjit për Dhunë, e cila duhet të jetë vepra penale “Mospërfillja e Gjykatës” nga neni 393 par. 1 të KPRK-së.

Për këtë vepër penale, gjykatësja Berisha shqiptoi dënimin me gjobë prej 400 eurosh, ku i dënuari detyrohej në afat prej 15 ditësh ta kryejë këtë pagesë.

Si rrethana lehtësuese vlerësoi faktin se i njëjti ka shprehur keqardhje dhe është penduar për ndodhjen e rastit, është prind i dy (2) fëmijëve, i ka kërkuar falje bashkëshortes së tij si dhe ka premtuar se në të ardhmen nuk do të përsërisë më veprime të tilla.

Ndërsa, si rrethana rënduese, gjykata gjeti faktin se këto vepra penale janë kryer brenda marrëdhënies familjare, ndaj anëtarit të familjes, e që në rastin konkret ndaj bashkëshortes.

F. P. kishte qenë nën masën e paraburgimit nga data 25.03.2023 deri më datën 19.04.2023, e cila kohë do të llogaritet në rast të revokimit të dënimit me kusht.

Provat të cilat mori parasysh gjykata me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit janë: Raporti fillestar i incidentit i datës 25.03.2023 me numër të rastit 2023-BC-313, ,deklarata e të dëmtuarës A. P. e datës 25.03.2023, Raporti nga Spitali i Përgjithshëm Emergjenca në Mitrovicë, Procesverbali i marrjes në pyetje për të akuzuarin F. P., Aktvendimi C.nr.440/2023 i datës 21.03.2023, i lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë-Divizioni Civil, Raporti ditor i dhunës në familje, i datës 25.03.2023, si dhe akt ekspertimi mjeko-ligjo i datës 31.03.2023, për të dëmtuarën A. P. dhe shkresat tjera të lëndës.

E dëmtuara ka hequr dorë nga kërkesa pasurore-juridike lidhur me këtë çështje penale.