Dyshohet se morën pjesë në 13 raste të vjedhjes në fshatrat e Vitisë, arresohen tre persona

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, të dyshuar për kryerjen e 13 vjedhjeve në periudha të ndryshme kohore në disa fshatra të Vitisë.

Të dyshuarit janë N.S. (1997), A.Q. (2004) dhe S.Q. (2004). Arrestimi i tre të dyshuarve nga ana e hetuesve policorë është bërë pasi që është arritur të sigurohen prova të mjaftueshme për kryerjen e 13 vjedhjeve të cilësuara si vjedhje dhe vjedhje të rënda.

Te të dyshuarit si prova materiale janë siguruar dëshmi të shumta të sendeve të cilat dyshohet se janë të vjedhura. Të njëjtat janë konfiskuar dhe në ditët në vazhdim sipas Policisë, do t’iu kthehen pronarëve legjitim.

Pas arrestimit, tre të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që tre të dyshuarit të ndalen në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Vjedhje’’ dhe “Vjedhje e rëndë’’ dhe rasti me kallëzim penal do të procedohet në Prokurorinë Themelore në Gjilan.