Ahmet Morina. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dyshimet për konflikt interesi në tenderin për ndërtimin e shkollës në Gurbardh

Komuna e Malishevës që qeveriset nga Nisma Socialdemokrate ia ka dhënë kompanisë “Themeli” tenderin në vlerë rreth 400 mijë euro për ndërtimin e objektit të shkollës në fshatin Gurbardh.

Të dhënat tregojnë se Isuf Krasniqi, pronari i kompanisë “Themeli”, është vëllai i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i cili po ashtu vjen nga Nisma Socialdemokrate.

Ahmet Morina, i cili sot është drejtor i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, në vitin 2019 ishte kryetar i Komisionit Vlerësues në tenderin për ndërtimin e shkollës në Gurbardh.

Dy vendime të Organit Shqyrtues të Prokurimit dëshmojnë se kompanitë më të lira u eliminiuan nga gara pasi Komuna injoroi gjetjet e OShP-së dhe tenderin ia dha kompanisë ku punonte drejtori, e cila ka lidhje të forta me politikën. 

Sipas dosjes së tenderit, për vlerësimin se kush i plotësonte kriteret ishte caktuar Komisioni në krye të të cilit ishte Ahmet Morina. 

Në tavolinën e vlerësimit ishte edhe aplikacioni i kompanisë “Themeli” e cila u rekomandua nga Komisioni që ta fitojë këtë tender. Pjesë e kritereve për të fituar tenderin ishte edhe paraqitja e dokumentacionit se kush janë inxhinerët të cilët kompania do t’i angazhonte në implementimin e punimeve në këtë tender.

Hulumtimit tregon se diploma e Ahmet Morinës ishte në dosjen e kompanisë “Themeli”.  Kompania, pronë e vëllait të ministrit Vesel Krasniqi e kishte angazhuar si inxhinier për menaxhim të emerxhencave Ahmet Morinën. Morina është punëtor i komunës së Malishevës dhe ishte caktuar si personi kryesor që do e vlerësonte këtë tender.

Dosja e tenderit për ndërtimin e shkollës në fshatin Gurbardh të Malishevës tregon se kompania e cila fitoi tenderin kishte aplikuar në tender duke përdorur CV-në e Ahmet Morinës, tash drejtorit të Urbanizmit. 

Derisa Morina ishte duke punuar për kompaninë “Themeli” dhe ishte shef i urbanizmit në Komunën e Malishevës, ai është caktuar si kryetar i Komisionit të parë për vlerësimin të ofertave të kompanive për këtë tender.

Me fjalë të tjera, Komisioni i kryesuar nga Morina, ka pasur në dorë se cilën kompani ta rekomandojë si fituese të kontratës për ndërtimin e shkollës në fshatin Gurbardh. 

Të dhënat tregojnë se Ahmet Morina, atëherë shef i urbanizmit në Komunën e Malishevës, si kryetar i Komisionit të Vlerësimit, e ka rekomanduar për kontratë kompaninë në të cilën ka punuar vet, kompaninë “Themeli”.

Në vendimin e OSHP-së është përmendur edhe dyshimi për ekzistimin e konfliktit të interesit të Ahmet Morinës, i cili si shef i Urbanizmit ka qenë pjesë e Komisionit Vlerësues të ofertave të tenderëve dhe në të njëjtën kohë, kompania “Themeli” e cila ka aplikuar në këtë tender e ka dorëzuar diplomën e Ahmet Morinës si inxhinier për Menaxhimin e Emergjencave.

Ekipi ynë i ka kërkuar intervistë Ahmet Morinës, drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Malishevës, për të sqaruar të gjitha dyshimet por Morina ka refuzuar të dalë para kamerave.

Ekipi ynë ka shkuar deri në zyrën e z.Morina duke insistuar që të marrë një intervistë prej tij por zyra e tij ka qenë e mbyllur.

Për të tretën herë me radhë i është kërkuar intervistë por drejtori i Urbanizmit të Komunës së Malishevës ka refuzuar të flasë për ekipin tonë. Madje ai e ka quajtur “politik” emisionin tonë.

Ndërsa kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj ka thënë “është pamundur ta vlerësosh veten”.

“Prej pozitës që jam nuk mundem me thonë që është ose nuk është konflikt interesi por mundem me thonë që njeri nuk mundet me vlerësu veten. Një njeri në asnjë rrethanë nuk mundet me vlerësu veten”, ka deklaruar Vishaj.