Vesel Krasniqi - Burimi i fotos FCB
Tenderi për ndërtimin e shkollës në Malishevë iu dha vëllait të ministrit të Tregtisë
Komuna e Malishevës që qeveriset nga Nisma Socialdemokrate ia ka dhënë kompanisë “Themeli” tenderin në vlerë rreth 400 mijë euro për ndërtimin e objektit të shkollës në fshatin Gurbardh.
Të dhënat tregojnë se Isuf Krasniqi, pronari i kompanisë “Themeli”, është vëllai i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i cili po ashtu vjen nga Nisma Socialdemokrate.
Ky i fundit, nga viti 2000 e deri në vitin 2017, në periudha të ndryshme ka qenë zyrtar i Komunës së Malishevës. Fillimisht në vitin 2000 si zyrtar i turizmit e në fund për 9 vjet radhazi, nga viti 2008 e deri në vitin 2017 ka mbajtur pozitën e drejtorit për Ekonomi, Buxhet dhe Financa.
Në telefonatat e ekipit tonë pronari nuk ka pranuar të japë sqarime. Në secilën nga telefonatat, Isuf Krasniqi ka dhënë arsye të ndryshme për të mos u untervistuar.
Ekipi jonë ka vizituar edhe zyrën e kompanisë “Themeli”, e cila gjendet përballë Komunës së Malishevës, por e njëjta ka qenë e mbyllur.
Kërkesat janë drejtuar edhe në emailin zyrtar të kompanisë “Themeli” por ajo nuk ka kthyer përgjigje.
Ndërsa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi e ka pranuar që Isuf Krasniqi është vëllai i tij. Por ai e ka mohuar se ka ndikuar që vëllai i tij të fitojë tenderin në Komunën e Malishevës.