Komuna e Mamushes. Mamushe. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Kryetari i Mamushës shkarkon nga puna drejtorin e Urbanizmit pasi u dënua për mosraportim të pasurisë

Dënimi nga Gjykata e Prizrenit i kushtoi me shkarkim nga detyra drejtorit të Urbanizmit të Komunës së Mamushës, Ramadan Morina.

Morina është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe gjobë 800 euro për mosraportim të pasurisë.

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdullah Krasniç, konfirmoi për KALLXO.com se pas këtij vendimi ai ka shkarkuar nga posti i drejtorit Morinën.

“Po, e kam shkarkuar drejtorin në fjalë”, tha shkurt Krasniç.

Sipas Prokurorisë, në formularin për deklarimin e pasurisë të datës 28.03.2019, të paraqitur në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë, Morina nuk ka bërë deklarimin në zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare të prindit të tij H.M., si dhe të hyrat nga këto aksione, të dhëna këto të domosdoshme për deklarimin e pasurisë për zyrtarët e lartë publik.

Vendimi i gjykatës thekson se dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale brenda 1 viti.

Dënohet Drejtori i Urbanizmit në Mamushë