Jeta ne Komune - Lutfi Haziri - Komuna Gjilan - Foto Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Lutfi Haziri deklarohet pas ngritjes së aktakuzës ndaj drejtorit të Urbanizmit në Gjilan

Më 18 shkurt, Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Bajramit, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Por edhe pse kanë kaluar 8 ditë që kur është ngritur aktakuza, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ende nuk e kanë pranuar aktakuzën.

“Përpos që e kemi parë si lajm nëpër media. Në momentin që e pranojmë, e njoftoj opinionin për hapat e mëtejmë”, ka thënë Haziri për KALLXO.com.

Në garën për të parin e Komunës së Gjilanit, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Haziri kishte deklaruar se nëse ngritet aktakuzë ndaj stafit të tij, ai do t’i suspendojë.

“Nëse kam aktakuzë unë i besoj Prokurorisë dhe e ofroj aktin e dorëheqjes. Stafi im suspendohet prej meje nuk ka nevojë me prit në asnjë mënyrë”, kishte deklaruar Haziri në nëntor të vitit 2017.

Sipas aktakuzës, Bekim Bajrami gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, specifikisht, drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në Komunën e Gjilanit, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke anashkaluar interesin e institucionit.

Në tej në aktakuzë thuhet se Bajrami në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues ‘’Livadhet e Arapit’’, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.

Në ditën që është ngritur aktakuza nga Prokuroria e Gjilanit, KALLXO.com ka kontaktuar Bajramin.

Bajrami ka thënë se ende nuk është i njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj tij.

“Nuk paskam dëgjuar për këtë”, tha Bajrami.

Ai është pyetur edhe nëse do të japë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës por ai ka thënë që fillimisht do të informohet me lëndën.

“Detyrën e kryejmë normal por s’po e di çfarë lënde, së pari duhet ta shoh lëndën se çfarë ka”, ka deklaruar Bajrami për KALLXO.com.