Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Komuna e Malishevës shpërfilli dy vendimet e Gjykatës së Tenderëve

Komuna e Malishevës, që qeveriset nga Nisma Socialdemokrate, ia ka dhënë kompanisë “Themeli” tenderin në vlerë rreth 400 mijë euro për ndërtimin e objektit të shkollës në fshatin Gurbardh.

Të dhënat tregojnë se Isuf Krasniqi, pronari i kompanisë “Themeli”, është vëllai i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i cili po ashtu vjen nga Nisma Socialdemokrate.

Kompania “Arm Ing”, njëra nga kompanitë që kishte aplikuar në këtë tender, ishte ankuar kundër vendimit të Komunës së Malishevës në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Pretendimet e kompanisë “Arm Ing”, Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka gjetur si të bazuara dhe tenderin e ka kthyer në rivlerësim. 

Në vendimin e parë, OShP kishte konstatuar se Komisioni kishte eliminuar nga gara kompani që ishin më të lira për t’i dhënë kështu kontratën kompanisë “Themeli”, ku punonte edhe Ahmet Morina, tash drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës.

“Gjykata e tenderëve” ka konstatuar se Komuna kundërligjshëm e kishte eliminuar nga gara të paktën një prej kompanive që ishte në garë dhe që kishte ofertuar rreth 120 mijë euro më lirë se kompania e familjarit të ministrit.

Madje OShP ka konstatuar se disa dokumente të kompanisë “Arm Ing” edhe pse ekzistonin, janë shkruar se nuk janë në dosje.

Në vendim thuhet se Komisioni i kryesuar nga Morina e ka eliminuar kompaninë “Arm Ing” me arsyetimin se:

– Nuk e kishte plotësuar siç duhet deklaratën nën betim

– Nuk kishte inxhinier të Gjeodezisë

– Nuk kishte inxhiner të Menaxhimit të Emergjenceve

– Nuk kishin raporte të auditimit për vitin 2016-2017-2018.

Por Organi Shqyrtues i Prokurimit ka konstatuar se kompanisë “Arm Ing” nuk i mungon asnjë prej dokumenteve dhe stafit për arsyet të cilat ishte eliminuar nga gara.

Në vendimin e OShP-së thuhet se në dosjen e tenderit të kësaj kompanie është dorëzuar emri i inxhinierit të gjeodezisë me diplomë të Universitetit Politeknik të Tiranës, emrin e inxhinierit të Menaxhimit të Emergjencave me diplomë Master dhe raportet e auditimit financiar siç ishte kërkuar në dosjen e tenderit.

Paneli Shqyrtues i OShP-së, ka evidentuar se Komisioni kishte trajtuar gabimisht disa prej dokumeteve që i kishte dorëzuar kompania fituese – “Themeli”, ku punonte kryetari i Komisionit vlerësues.

OShP gjeti se kompania përpos që kishte çmimin më të lartë, nuk i kishte plotësuar edhe disa kritere të tjera.

Kërkesa e tenderit ishte që kompania të dëshmonte tri referenca që në të kaluarën kishte implementuar punë në vlerë prej 490 mijë eurosh.

Vendimi i OShP-së potencon se njëra nga referencat nuk i plotësonte kushtet ndërsa vlera e dy kontratave të tjera ishte vetëm 479 mijë euro apo 11 mijë euro më pak sesa ishte kërkuar në tender.

Gjithashtu, OShP gjeti se Komuna e Malishevës kishte kërkuar inxhinier me fakultet 5 vjeçar ndërsa kompania që e mori tenderin e kishte inxhinierin vetëm me 3 vite fakultet.

Gjetja e radhës e Gjykatës së Tenderëve është që kompania “Themeli” nuk e ka dorëzuar diplomën e inxhinierit të Hidroteknikës me fakultet 5 vjeçar ose Master por ka dorëzuar diplomën e një inxhinieri me titull Bachelor i Ndërtimtarisë – drejtimi Hidroteknikë.

Sipas OShP-së, kompania “Themeli” nuk e ka dorëzuar as inxhinierin e Elektroteknikës me fakultet 5 vjeçar ose Master të kërkuar me dosjen e tenderit por e ka prezantuar inxhinierin e Elektroteknikës me titull Bachelor i shkencave të inxhinierisë elektrike.

Pasi OShP e kishte kthyer në rivlerësim, Komuna e kishte caktuar një Komision, i cili përsëri kishte vendosur njësoj si Komisioni i parë, i kryesuar nga Morina.

Sërish “Arm Ing” ishte ankuar në OShP kundër këtij vendimi.

Sërish Paneli Shqyrtues i “Gjykatës së Tenderëve” kishte konstatuar se Komuna e Malishevës nuk e ka rivlerësuar tenderin sipas Ligjit për Prokurim Publik dhe siç është obliguar me vendimin e parë të “gjykatës së tenderëve”.

Në vendim thuhet se Komuna e Malishevës nuk e ka respektuar kriterin kryesor për dhënie të kontratës, që është tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët.

Sipas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kompania “Themeli”, e cila është shpallur fituese e tenderit për ndërtimin e shkollës në fshatin Gurbardh, nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit dhe se e njëjta nuk kishte qenë e përgjegjshme

Tenderi ishte kthyer sërish për t’u rivlerësuar në Komunën e Malishevës.

Por edhe Komisioni i dytë i rivlerësimit i injoroi vendimet e OShP-së dhe përsëri rekomandoi kompaninë “Themeli” si kompani fituese të tenderit.

Sipas ligjit, në rastet kur Komisioni vendos në kundërshtim me ato çka ka rekomanduar OShP, kompanitë mund të ankohen sërisht në OShP, në të kundërtën nëse nuk ka ankesë çdo gjë përfundon aty.

Kompania “Arm Ing”e lodhur nga ankesat nuk ishte ankuar për herë të tretë dhe kështu Komuna e Malishevës nënshkroi kontratën me çmim më të shtrenjtë dhe për llogari të kompanisë “Themeli”. 

Ekipi ynë ka kërkuar intervistë në lidhje me tenderin për ndërtimin e shkollës në fshatin Gurbardh me Nuhi Shalaj, shefin e prokurimit në Komunën e Malishevës por edhe ai ka refuzuar.

Duke parë refuzimin e Shalajt, ekipi ynë kërkoi një adresë tjetër për të marrë sqarime zyrtarisht nga Komuna e Malishevës për dhënien e tenderit te vëllai i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe dyshimet për konflikt interesi drejtorit të Urbanizmit me përfshirjen e tij në Komisionin e Vlerësimit për këtë tender.

Ajo adresë ishte nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, pasi kryetari po vazhdon të trajtohet për COVID-19. Nënkryetari refuzoi të flasë para kamerave me arsyetimin se e ka agjendën e ngjeshur edhe për shkak të punëve që ia ka lënë kryetari. Por kur është pyetur nëse është në dijeni për çështjet e ngritura në emisionin tonë, ai e mohoi.

Në Malishevë askush nuk pranoi të dalë para kamerës për tenderin e përfolur. Nga ana tjetër shkolla është përfunduar dhe pritet të inagurohet.

Në ndërkohë, gjatë muajit nëntor, Komuna e Malishevës ia ka dhënë edhe një kontratë për punë shtesë kompanisë “Themeli” për shkollën në fshatin Gurbardh, në vlerë prej 22 mijë euro.