Eproret e policise ne takimin me Aleksandar Vuciq, Foto: KALLXO.com

Dugolli flet për eprorët e policisë që morën pjesë në takim me Vuçiqin

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë gjatë 22 marsit të këtij viti në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Lidhur me këtë çështje ka folur në emisionin “Kallxo Përnime”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është anëtar edhe në Komisionin për Siguri, Enver Dugolli.

Ai ka thënë se kjo është përgjegjësi e Inspektorati Policor i Kosovës.

“Çështja është te IPK, ne nuk mund t’i themi IPK-së merre këtë vendim, ata janë në procesin e analizimit të situatës”, është shprehur Dugolli.

KALLXO.com kishte raportuar para disa ditëve për këta eprorë.

Në një fotografi të siguruar nga KALLXO.com shihen në takim me Vuçiqin disa eprorë të policisë të cilët punojnë në zonën e veriut të Kosovës.

Në të njëjtin takim sipas mediave serbe ku mori pjesë edhe i kërkuari tashmë për rastin “Brezovica” Milan Radojiçiq, u diskutua edhe mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Pesë personat e parë që janë në fotografi kanë pozita të larta në Policinë e Republikës së Kosovës.

Këta janë, Shefi i Hetimeve Rajonale në Mitrovicën Veriore, Nenad Simiq, Komandanti i stacionit policor në Mitrovicën Veriore, Goran Zivkoviq, Igor Vukadinoviq nga Stacioni policor në Leposaviq, komandanti i stacionit policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq si dhe Shefi i Hetimeve në Zveçan.

Në anën tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të vendit në takimin të cilin e thirri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më 3 prill 2022, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare për të cilat zyrtarët e lartë serbë kërkuan që ato të organizohen edhe brenda territorit të Kosovës.

Kërkesa e tyre ra në vesh të shurdhër pasi me këtë nuk u pajtuan krerët e institucioneve kosovare. Kryeministri, Albin Kurti, tha se për këtë duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi se shteti i Kosovës ka refuzuar një propozim të vendeve të QUNIT-it.

Kujtojmë se më 23 mars ambasadorët e shteteve të QUINT-it, SHBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se Kosova duhet të krijojë kushte që qytetarët e Serbisë të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme.

Sipas deklaratës së lëshuar, shtetet e QUINT-it, kanë shprehur keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur marrëveshje për të garantuar të drejtën e votës për qytetarët serb në zgjedhjet e 3 prillit.

Për më tepër, në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim vlerat dhe parimet e shteteve të QUINT-it.

Eprorët e Policisë së Kosovës rreshtohen para Milan Radojiçiqit dhe Aleksandar Vuçiqit – FOTO