Spitali Regjional i Gjilanit Foto: KALLXO.com

Drejtori i Spitalit të Gjilanit flet për gjendjen shëndetësore të portierit të FC Ballkani

Disa shtypje në kokë dhe në disa pjesë të trupit.

Kështu e ka përshkruar gjendjen shëndetësore të portierit të FC Ballkani drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

Portieri i klubit suharekas, Stivi Frashëri, është sulmuar nga disa tifozë të FC Gjilani teksa po zhvillohej ndeshja mes dy klubeve, e vlefshme për Superligën e Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, pasi Stivi Frashëri është dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor.

Emini tha se janë kryer disa ekzaminime mjekësore dhe Frashëri nuk ka ndonjë rrezik për përkeqësim të shëndetit.

“Sipas raportit të mjekut kujdestar me vetëdije është sjellë në spital personi që po përmendni. Janë bërë disa ekzaminime, është bërë rentgeni i kokës, i qafës. Nuk ka ndonjë thyerje të kockave vetëm disa shtypje në pjesën e kokës dhe në pjesën e trupit. Ne jemi në kontakt gjatë gjithë kohës edhe me mjekun e klubit. Nuk është në rrezik dhe i njëjti ende është duke u trajtuar”, tha Emini për KALLXO.com.

Në anën tjetër, KALLXO.com raportoi se për shkak të incidentit që ndodhi para rreth një ore në stadiumin e Gjilanit deri sa po zhvillohej ndeshja futbollistike janë shtuar edhe forcat policore ndërsa lojtarët e ekipeve janë larguar nga stadiumi nën përcjellje të Policisë.

Deri më tani sipas Policisë së Rajonit të Gjilanit nuk ka ndonjë të arrestuar për sulmin ndaj portierit të FC Ballkani.