Britania e Madhe, Foto: Pixabay

Britania e Madhe dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit me termat më të fortë

Mbretëria e Bashkuar ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit, tha kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak në një deklaratë të postuar në rrjetin social “X”.

“Unë dënoj në termat më të ashpër sulmin e pamatur të regjimit iranian kundër Izraelit. Irani ka treguar edhe një herë se synon të mbjellë kaos në oborrin e tij të shtëpisë” – thuhet në deklaratën e Sunak.

Sunak ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e Izraelit dhe atë të të gjithë partnerëve tanë rajonalë, përfshirë Jordaninë dhe Irakun.

“Së bashku me aleatët tanë, ne po punojmë urgjentisht për të stabilizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Askush nuk dëshiron të shohë më shumë gjakderdhje.”

Përkrahje ndaj Izraelit kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti amerikan, Joe Biden është shprehur qartë se mbështetja e tyre për sigurinë e Izraelit është e hekurt.

“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me popullin e Izraelit dhe do të mbështesin mbrojtjen e tyre kundër këtyre kërcënimeve nga Irani” – thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë konfirmuar se Irani më 13.04.2024 ka lëshuar ​dronët nga brenda territorit të tij drejt Izraelit.

“Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) është në gatishmëri të lartë dhe po monitoron vazhdimisht situatën operacionale. Grupi i Mbrojtjes Ajrore IDF është në gatishmëri të lartë, së bashku me avionët luftarakë të IAF dhe anijet e Marinës izraelite që janë në një mision mbrojtjeje në hapësirën ajrore dhe detare izraelite”- thuhet në njoftim e forcave izreale në rrjetin social “X”.

Tutje thuhet se IDF po monitoron të gjitha objektivat.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli ka qenë duke u përgatitur për një sulm nga Irani.

“Kushdo që na dëmton, ne do t’i dëmtojmë ata” – ka thënë ai në një video-mesazh.