Foto: Komuna e Malishevës

Helmimi i qytetarëve në Malishevë, kryetari Kastrati falënderon QKMF-në për menaxhimin e situatës

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, bashkë me drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hajdin Berisha, sot kanë qenë për një vizitë falënderuese në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Shpëtim Robaj” në Malishevë.

Sipas njoftimit të Komunës, kryetari Kastrati ka theksuar se ndien shumë keqardhje që për arsye të një udhëtimi jashtë vendit nuk ka mundur të jetë afër qytetarëve të prekur nga helmimi, si dhe afër stafit shëndetësor që po menaxhonte situatën.

“Mirëpo (Kastrati) ka shprehur mirënjohje e falënderim të thellë për gjithë stafin e QKMF-së, në krye me drejtorin e saj, Afrim Krasniqi, që në mënyrën më të mirë e më efikase të mundshme e kanë menaxhuar situatën e rëndë, ku ditë më parë u helmuan qytetarë të komunës sonë, si pasojë e konsumimit të ushqimeve të dëmshme në një nga lokalet e gastronomisë në Malishevë”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se kryetari Kastrati dhe drejtori Berisha u kanë uruar shërim sa më të shpejtë të gjithë të prekurve nga helmimi, si dhe kanë shprehur gatishmërinë e qeverisjes komunale për të menaxhuar deri në normalizimin e plotë të situatës.

Sipas njoftimit, Kastrati është zotuar se Komuna e Malishevës në bashkëpunim me institucionet kompetente “do të punojë derisa të zbardhen plotësisht shkaqet që sollën këtë ngjarje që na ka prekur të gjithëve”.

Numri i personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimet që konsumuan në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë ka shkuar në mbi 200.

Shumica e personave të helmuar janë trajtuar në QKUK dhe në Spitalin e Prizrenit.

Gjykata e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pronarit të lokalit të ushqimeve të shpejta në Malishevë.

“Të pandehurit K.SH., i është caktuar paraburgimi prej 1 muaji për veprën penale vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” – ka thënë zëdhënësi i Gjykatës së Gjakovës, Lekë Muqaj.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 64 kilogramë produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan dhjetëra qytetarë në Malishevë.

AUV ka ndërmarrë sot një aksion kontrolli në lokalet e gastronomisë që shërbejnë ushqime të shpejta (Fast Food), në regjionin e Prizrenit, konkretisht në Prizren e Malishevë.

Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-së, ka thënë për KALLXO.com se përmes 6 ekipeve inspektuese të udhëhequra nga koordinatori i zyrës regjionale të  AUV-së në Prizren është arritur të realizohen 28 inspektime të detajuara sipas urdhrit të ministrit të MBPZHR-së dhe drejtorit ekzekutiv të AUV-së.