Dosja e Prokurorisë për të dyshuarit në rastin e çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës

Prokuroria e Prishinës ka bërë të ditur se ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj B. B. i dyshuar për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, kurse ndaj zyrtarit të komunës Y. J. është kërkuar masa e ndalimit të afrimit të vendit apo personit.

Këta persona janë të dyshuarit për rastin e rënies së një pjesë të kulmit të objektit të ri të komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” në kryeqytet ku mbeti e lëndur rëndë kalimtare 23 vjeçare.

“Departamenti për Krime të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu ofruar vendit të caktuar apo personit të caktuar, ndaj një (1) personi për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një (1) personi për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” – thuhet në përgjigjen e prokurorisë për KALLXO.xom

Një qytetare është lënduar në këtë rast e disa vetura ishin dëmtuar nga rënia e kësaj pjese të kulmit.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kishin dalë ekipe të emergjencës, të zjarrfikësve, të Policisë dhe të Prokurorisë së Prishtinës.

Objekti i ri i Komunës së Prishtinës ishte përuruar më 2009 dhe ndërtimi i tij kishte kushtuar mbi 4 milionë euro.

Ndërsa, në janar 2023 Komuna kishte hapur tender për rikonstruksion të kulmit të ndërtesës pasi në kohë reshjesh kishte rrjedhje të ujit brenda objektit.

Komuna fillimisht kishte paraparë të ndajë 700 mijë euro për këtë ndërhyrje.

Kontrata më pas ishte nënshkruar në muajin gusht me operatorin “NBT-ING” me bazë në Suharekë për rreth 400 mijë euro.

Në dosjen e tenderit theksohej se me anë të këtij tenderi do të kryhen punë si në vijim: demolim, muratim, izolim, pune në pllafon, dysheme, përpunim fasade, punime metalike si dhe punime në dyer e dritare.

Në një përgjigje për KALLXO.com, komuna kishte theksuar se në atë pjesë nuk është intervenuar fare.

“Nga kontrata e realizuar e nënshkruar në vitin 2023, janë kryer punët në rregullimin e komplet terasës si dhe janë kryer disa intervenime në pjesën e kulmit të pjerrët që i përket mbulimit të hapësirave të sallës. Në pjesën ku është bërë dëmtimi nuk është intervenuar fare nga kontrata e vitit 2023”- thuhet në deklarimin e Komunës së Prishtinës.

Komuna më tej kishte theksuar se kontrata për renovime në këtë objekt përfshinë vetëm 9.5% të punëve në kulm.