Dosja e Prokurorisë: Një nga të arrestuarit i dha ryshfet 100 mijë euro ish-kryetarit të Shtërpcës

Arian Idrizaj është njëri nga të arrestuarit në rastin e njohur në publik si “Brezovica”.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e prokurorisë në lidhje me veprimet e jashtëligjshme që po dyshohet të kenë kryer të gjithë të arrestuarit e ditës së djeshme.

Sipas dosjes së prokurorisë, Idrizaj dyshohet se që nga viti 2014 deri në vitin 2018, në Shtërpcë, si person përgjegjës i personit juridik N.SH. “Rezonanca” me seli në Prishtinë, i ka dhënë 100 mijë euro të pandehurit, ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, me qëllim që t’i mundësojë marrjen e lejes së ndërtimit për objektin rehabilitues “Rezonanca” të cilin pastaj e ka shndërruar në objekt hotelier, i cili është ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këtë rast, Idrizaj po dyshohet se ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me rastin “Brezovica”.

Gjatë ditës së sotme të arrestuarit e djeshëm për të njëjtin rast pritet të dalin para gjykatës.

Kjo pasi që prokurori i rastit Rasim Maloku  ka kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë.