Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

Arrestohet avokati Besnik Berisha dhe tre persona të tjerë

Avokati Besnik Berisha është arrestuar nën dyshimin për tri vepra penale bashkë me tre persona të tjerë N.Xh., I.S., dhe R.C.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se kanë arrestuar katër persona të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale të dhënies së ndihmës kryesve  pas kryerjes së veprave penale, pengim i të provuarit dhe ushtrimit të ndikimit.

KALLXO.com mëson se njëri nga të arrestuarit është edhe avokati Berisha.

Tutje prokuroria në bazë të njoftimit ka thënë edhe se shtëpitë dhe pronat e të dyshuarve janë bastisur gjatë ditës së sotme me urdhër të Gjykatës në Ferizaj.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore të Ferizajt:

Ferizaj, 13 Korrik 2023 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë (6) personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër (4) të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C., për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare “ nga neni 386 paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së.