Çka ndodhi me tenderin për kompleksin e Jasharëve në Prekaz? - VIDEO

Instituti i shkencës dhe teknologjisë “Insi”, SH.P.K ka iniciuar padi kundër Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit për tenderin “Zhvillimi i master-planit për kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz.

Instituti që ka kryesuar njërin nga konsorciumet konkurruese pretendon se në këtë aktivitet ka pasur shkelje të Ligjit të Prokurimit dhe ndërhyrje nga palët e treta.

Avokati i kësaj kompanie, Qëndrim Arifi në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se këto dy institucione i kanë dërguar në Gjykatën Komerciale.

“Rasti është ende në proces, së bashku me padi ne kemi bërë kërkesë edhe për shtyrje ekzekutimit të vendimit, shkalla e parë e ka refuzuar shtyrjen pa e argumentu fare pse po e refuzon. Ne pas kësaj në dhomat e shkallës së dytë kemi bërë ankesë për shkak se s’kemi vlerësuar se është trajtuar drejtë, madje pretendimet e tona fare s’janë trajtuar më vonë, kjo kompani ka kuptuar që këtë dështim Qeveria po mundohet t’ia veshë Institutit të shkencës dhe teknologjisë “Insi”, pas kësaj ne kemi dorëzuar parashtresë ku kemi hequr dorë nga kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të vendimit”- thotë Arifi.

Ai ka shtuar se drejtori i “INSI”, nuk ka dashur që të duket që kjo kompani ka faj që nuk po fillojnë punët në këtë kompleks.

“S’po don mu dok vrimë e zezë dhe pistë gjuajtje që ky është fajtori që po pengohet ky projekt, pra ky është ka e ndjek ministrinë për dëmin që ju ka shkaktu dhe OSHP-së por është tërheq vetëm prej kërkesës së masës pezulluese të këtij projekti” – tha tutje Arifi.

Më 01.02.2024 në emisionin “Kallxo Përnime u diskutua në lidhje me gjendjen në rrezik të kullave të Jasharëve. 24 vjet pas vendosjes se skeleve afër shtëpive, ende nuk është bërë asnjë intervenim tjetër për të mbrojtur objektet që tregojnë për luftën e fundit në Kosovë dhe heroizmin e familjes Jashari.