Dorëzimi i personit të dyshuar për vrasje në Klinë, detaje nga Prokuroria
Personi i dyshuar për vrasjen në Klinë është dorëzuar në Policinë e Kosovës.
Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Pejë.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi ka treguar se i dyshuari gjendet në stacion policor dhe se ndaj tij do të merren masat e nevojshme.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit do të ndalohet fillimisht për 48 orë dhe brenda afati ligjor ndaj tij do parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit” – ka thënë Nikçi.
Një person u vra me armë zjarri në një lokal në Klinë, pasditen e 7 gushtit, ndërsa i dyshuari ishte në arrati deri më sot.
I dyshuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes me një veturë të grabitur, raportoi KALLXO.com.
KALLXO.com ka siguruar pamjet e kamerave të kafiterisë, në të cilën shihet se si i dyshuari 48-vjeçar T. Frrokaj futet në lokal, shkon në drejtim të viktimës, e godet me armë, dhe largohet nga vendi i ngjarjes.
Brenda një jave në Kosovë, ndodhën tri vrasje në lokale të ndryshme, në Prishtinë, Klinë e Skenderaj.