Pejë - I dyshuari që goditi me veturë dy të miturit, tentoi të ikte nga vendi i ngjarjes

Një ngjarje e rëndë është shënuar më 07.04.2024, në ora 14:55 në Pejë, ku dy fëmijë teksa ishin duke lëvizur në pjesën e trotuarit u goditën nga një veturë.

Ata pësuan lëndime të rënda, përderisa njëri nga fëmijët po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e tjetri në Spitalin Rajonal të Pejës.

KALLXO.com mëson se i dyshuari, tashmë i arrestuar, pasi kishte goditur dy fëmijët me veturë tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes ndërsa është penguar nga disa qytetarë dhe më pas është ndalur.

E për këtë çështje i njëjti siç mëson KALLXO.com, ka rrezik t’i shmanget edhe procesit të drejtësisë andaj prokurori i Prokurorisë së Pejës Dorian Juniku do të kërkoj edhe masën e sigurisë, atë të paraburgimit për të dyshuarit.

Kështu ka konfirmuar vetë Juniku gjatë një bisede përmes telefonit me KALLXO.com.

“Jam duke punuar në rast ndërsa nesër do të dorëzojmë edhe kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit shoferit që ka goditur fëmijët. Fëmijët kanë marrë edhe lëndime të rënda. Nga ato çfarë kemi deri më tani, shoferi nuk i është përshtatur rregullave të trafikut dhe ka ardhur deri te aksidenti ndërsa po punojmë ende në rast”-tha Juniku më 07.04.2024, për KALLXO.com.

Përveç që aksidentoi fëmijët, KALLXO.com mëson se i dyshuari gjatë kohës sa tentoi të iktë nga vendi i ngjarjes, kishte goditur edhe një motoçikletë në të cilën ishin dy persona.

Gjatë ditës së sotme prokuroria njoftoi për arrestimin e të dyshuarit ndërsa për rastin raportoi edhe KALLXO.com.

Ndalohet për 48 orë i dyshuari që goditi me veturë dy të miturit në Pejë