DOKUMENT - Qeveria e Kosovës ndau para për 5 media që nuk janë anëtare të KMShK-së

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përkatësisht Zyra për Çështje të Komuniteteve, publikoi më 10 korrik 2023 një listë me emrat e organizatave joqeveritare dhe mediave, të cilat kanë përfituar mbështetje financiare për projektet ose programet për ngritjen e nivelit të punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë.

Lista përmbanë ndarjen e tri kategorive, dy prej të cilave me listë të OJQ-ve që përfituan subvencionim dhe një kategori tjetër me media.

Ndarja e parasë për OJQ-të dhe mediat u tha se po bëhet për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.

Në listën që e publikoi ZKM-ja janë 5 media që kanë përfituar nga thirrja e 31 majit 2023. Por, asnjëra nga mediat në këtë listë nuk është anëtare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), organ ky vetërregullues i mediave online në vend.

KALLXO.com ka verifikuar nëse mediat që përfituan nga kjo thirrje janë pjesë e KMShK-së, por asnjëra nga 5 mediat përfituese nuk është në listën e anëtarësisë.

Mediat online që përfituan nga kjo thirrje janë: SH.I.M. Kosovahaber, Utilis, Connection Media, Gazeta Scanner dhe Prosperiteti.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës për Media të ZKM-së, për të kuptuar se pse u ndanë para mediave që nuk janë anëtare të KMShK-së, por deri në publikimin e këtij lajmi, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Lista e plotë e OJQ-ve dhe mediave që përfituan para nga Qeveria:

Shënim: Artikulli është edituar pasi Sherafedin Vranja nga “Dardana Press” ka kontaktuar redaksinë e KALLXO.com, duke konfirmuar se media e tij është anëtare e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

KALLXO.com ka marrë për bazë listën e mediave që janë të regjistruara në uebin e KMShK-së në të cilën “Dardana Press” nuk figuron.

Nga KMShK e kanë konfirmuar për KALLXO.com se “Dardana Press” është anëtare por që lista nuk është e përditësuar.