Dita e 22-të e luftës në Ukrainë

E enjtja shënon fillimin e javës së katërt të luftës në Ukrainë, pas pushtimit të nisur nga Kremlini më 24 shkurt.

Luftimet kanë detyruar më shumë se tre milionë ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre, me mijëra njerëz të vrarë dhe të plagosur dhe me dëme të shumta si pasojë e luftimeve në tokë dhe bombardimeve ajrore.

Në qytetin e rrethuar të Mariupolit, një sulm ajror rus shkatërroi një teatër ku ishin strehuar qindra njerëz. Shumë njerëz u varrosën në rrënoja, tha në një deklaratë ministria e Jashtme e Ukrainës, megjithëse numri i viktimave nuk ishte i qartë. Pamjet e reja satelitore tregojnë se bombardimet e vazhdueshme po shkaktojnë shkatërrime të konsiderueshme në të gjithë Ukrainën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, iu referua 11 shtatorit gjatë një apeli urgjent të mërkurën drejtuar Kongresit të SHBA për më shumë armë për ta frenuar sulmin rus në Ukrainë. Presidenti i SHBA Joe Biden bëri të ditur për një shtesë prej 800 milionë dollarësh për ushtrinë e Ukrainës dhe tha se presidenti rus Vladimir Putin është një “kriminel lufte”.

Putin, në një fjalim të mërkurën para anëtarëve të kabinetit dhe udhëheqësve rajonalë, paralajmëroi kundër përpjekjeve të Perëndimit për t’i përdorur rusët që kundërshtojnë sundimin e tij se po e sjell  “shkatërrimin e Rusisë”.

“Por çdo popull, dhe aq më tepër populli rus, do të jetë gjithmonë në gjendje të dallojë patriotët e vërtetë nga llumrat dhe tradhtarët dhe thjesht do t’i pështyjë si një mushkonjë që aksidentalisht u fluturoi në gojë, do t’i pështyjë në trotuar,” ka deklaruar Putin.

Nëse sapo na jeni bashkangjitur, këto janë zhvillimet e fundit rreth dhe në Ukrainë:

ÇFARË PO NDODHË NË TERREN?

Dhjetë persona u vranë ndërkohë që po prisnin në radhë për bukë në qytetin verior të Chernihiv, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Pamjet satelitore nga hapësira treguan artileri vetëlëvizëse ruse dhe raketa të shumta të vendosura në periferi të qytetit Chernihiv, tytat dhe tubat e tyre të drejtuara në qytet.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, shkroi në Twitter se sulmi në teatrin në Mariupol është një “krim i tmerrshëm lufte”. Pamjet satelitore nga e hëna treguan fjalën “fëmijë” të shkruar me shkronja të mëdha të bardha në rusisht përpara dhe pas ndërtesës.

Ministria ruse e mbrojtjes mohoi të mërkurën se ka bombarduar teatrin apo kudo tjetër në Mariupol.

Në qendër të Kievit, copëzat e një predhe artilerie u përplasën në një pallat 12-katësh të mërkurën herët, duke fshirë katin e fundit të ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. Shërbimet e urgjencës raportuan dy viktima nga flakët, pa specifikuar nëse janë vrarë apo plagosur.

Luftimet vazhduan në periferi të Kievit, duke privuar mijëra njerëz nga ngrohja dhe uji i pastër.

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në rajonin përreth Khersonit, një port strategjik pranë Detit të Zi. Forcat ushtarake ukrainase i kanë dhënë një goditje ndëshkuese mjeteve ajrore ruse të stacionuara në aeroportin në Kherson, të cilat trupat ruse e kapën në fillim të luftës, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës të mërkurën vonë.

Fotot satelitore nga Planet Labs PBC të analizuara nga Associated Press tregojnë helikopterët dhe automjetet në flakë në bazën ajrore pas asaj që Ukraina tha se ishte sulmi i saj të martën.

Pati gjithashtu shpërthime pranë një stacioni treni në qytetin juglindor të Zaporizhzhia, ku ndodhen disa stacione energjie.

CILI ËSHTË REZULTATI I BISEDIMEVE TË DERITANISHME RUSI-UKRAINË?

Këshilltari i Zelenskyy, Mikhailo Podolyak tha se Ukraina po kërkon një armëpushim, tërheqjen e trupave ruse dhe garanci ligjore të sigurisë për Ukrainën nga një numër vendesh. Delegacionet ukrainase dhe ruse mbajtën përsëri bisedime të mërkurën përmes video-konferencës.

Një zyrtar tjetër në zyrën e Zelenskyy, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve, tha se tema kryesore në diskutim ishte nëse trupat ruse do të mbeten në rajonet separatiste në Ukrainën lindore pas luftës dhe ku do të përcaktoheshin kufijtë.

Pak para luftës, Rusia njohu pavarësinë e dy rajoneve të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014 dhe zgjeroi kufijtë e atyre rajoneve në zonat që Ukraina kishte vazhduar ti mbante, duke përfshirë Mariupolin.

CILI ËSHTË REAGIMI I BOTËS NDAJ LUFTËS NË UKRAINË?

Gjashtë vende perëndimore kanë bërë thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën të enjten. Misioni i OKB-së i Mbretërisë së Bashkuar shkroi të mërkurën në Twitter se gjashtë vendet kërkuan takimin, duke thënë: “Rusia po kryen krime lufte dhe po i targeton civilët. Lufta e paligjshme e Rusisë ndaj Ukrainës është një kërcënim për të gjithë ne.”

Misioni i OKB-së tha se takimi u kërkua nga gjashtë anëtarë të Këshillit të Sigurimit dhe vendosën flamujt e tyre – Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria. Takimi nuk është caktuar ende zyrtarisht.

Zelenskyy pranoi në fjalimin e tij në Kongresin e SHBA se zona e ndalimit të fluturimeve që ai ka kërkuar të “mbyllte qiellin” mbi vendin e tij mund të mos ndodhë. Megjithatë, ai tha se SHBA duhet ti sanksionojë ligjvënësit rusë dhe ti bllokojë importet, përveç ofrimit të ndihmës ushtarake.

“Ne kemi nevojë për ju tani,” tha Zelenskyy në fjalimet e transmetuara drejtpërdrejt në Kapitol, SHBA, të cilat u shënuan me një video grafike që jipte një krahasim të Ukrainës përpara pushtimit me pasojat e tmerrshme.

Rusia po përdor përdorimin e armëve më të vjetra, më pak të sakta, të cilat janë më pak efektive ushtarakisht dhe kanë më shumë gjasa të rezultojnë në viktima civile, sipas një përditësimi të inteligjencës nga Ministria e Mbrojtjes e Britanisë. Kjo vjen pasi Zelensky tha se korridoret e evakuimit dështuan të mërkurën sepse ushtria ruse nuk i ndaloi granatimet. 

Në një veprim të paprecedentë, Këshilli i Evropës e përjashtoi Rusinë nga organi më kryesor i të drejtave të njeriut në kontinent. Stafi i Këshillit të Evropës madje doli jashtë selisë së tij në Strasburg të Francës dhe largoi flamurin rus prej aty.

Tiny Kox, presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, tha se përjashtimi “ishte i nevojshëm dhe jam i kënaqur që guxuam ta bëjmë këtë”.

Putin tha të mërkurën se operacioni në Ukrainë po zhvillohet me sukses, në përputhje të plotë me planet e para-miratuara”.

Por me rezistencën ukrainase që po frustron shpresat e Kremlinit për një fitore të shpejtë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se një “frymë e ngjashme me të bërit biznes” është shfaqur në bisedimet me zyrtarët ukrainas, të cilat ai i përshkroi si të fokusuar në një “status neutral” për ushtrinë e Ukrainës.

Udhëheqësit e tri vendeve evropiane, Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë, u kthyen të mërkurën nga një udhëtim i rrezikshëm në kryeqytetin e rrethuar të Ukrainës për ta demonstruar mbështetjen e tyre dhe për t’u takuar me presidentin e Ukrainës Zelenskyy.

Presidenti amerikan Joe Biden e quajti presidentin rus Vladimir Putin një “kriminel lufte” të mërkurën. Emërtimi i Biden pasqyron një ndryshim nga qëndrimi i mëparshëm i administratës. Zyrtarët, përfshirë Bidenin, nuk kishin thënë më parë se krimet e luftës po kryheshin në Ukrainë, duke përmendur hetimet e vazhdueshme nëse ky term mund të përdoret.

Biden njoftoi se SHBA-ja po dërgon një ndihmë ushtarake shtesë prej 800 milionë dollarësh – duke përfshirë armë anti-ajrore dhe antiblindore dhe dronë – në Ukrainë, duke e bërë një total prej 2 miliardë dollarësh në ndihmë të tillë dërguar Kievit qyshkur Biden mori detyrën e Presidentit më shumë se një vit më parë.

Biden gjithashtu planifikon të udhëtojë në Evropë javën e ardhshme për bisedime me liderët evropianë rreth pushtimit rus dhe do të marrë pjesë në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel. NATO e ka forcuar krahun e saj lindor me trupa dhe pajisje për ta penguar Rusinë nga pushtimi i ndonjë prej anëtarëve të saj.

Japonia njoftoi se do ta revokojë statusin e saj të “kombit më të favorizuar” tregtar për Rusinë për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është duke folur aktualisht në Bundestagun gjerman në Berlin.

Pasi mori një ovacion të fortë në fillim të fjalimit të tij, Zelensky po përsërit temat e fjalimeve të tij në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Kongresin e SHBA, duke u kërkuar liderëve të ndërmarrin më shumë veprime për ta trajtuar agresionin e Rusisë.

Ai i kërkon Gjermanisë ta marrë “rolin udhëheqës që e meriton” dhe i bën thirrje kancelarit Olaf Scholz ta shembë “murin” kundër lirisë që po ngrihet nga Rusia në Evropë.

Zelensky kritikoi gjithashtu mungesën e veprimeve të ndërmarra nga vendet e BE-së përpara pushtimit, duke u thënë deputetëve se sanksionet erdhën shumë vonë.

SA KA SHKUAR NUMRI I REFUGJATËVE UKRAINAS?

Më shumë se 1.9 milionë refugjatë kanë hyrë në Poloni nga Ukraina që kur Rusia pushtoi vendin më 24 shkurt, tha agjencia e Gardës Kufitare të vendit në një postim në Twitter të mërkurën.

Rreth 593,000 njerëz, ose 31% e refugjatëve, kanë hyrë në Poloni me vetura pasagjerësh.

Rreth 440,000 njerëz, ose 23%, kanë hyrë me autobusë.

Rreth 402,000, ose 21%, kanë hyrë në këmbë.

Dhe rreth 210,000, ose 11%, kanë hyrë me trena, sipas agjencisë së Rojës Kufitare të vendit.

Në përgjithësi, më shumë se 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga pushtimi, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, me shumicën e atyre refugjatëve që shkojnë në Poloni, Rumani, Moldavi, Hungari dhe Sllovaki.

Popullsia e Ukrainës kishte më shumë se 43 milionë njerëz para pushtimit rus./AP, CNN, Euronews