Trupat ruse vrasin 10 persona teksa prisnin në radhë për bukë

Ambasada amerikane në Ukrainë ka postuar në Twitter se sot forcat ruse qëlluan dhe vranë 10 persona në qytetin verior të Chernihiv.

Ata po qëndronin në radhë për bukë, thotë ambasada.

“Sot, forcat ruse qëlluan dhe vranë 10 persona që qëndronin në radhë për bukë në Chernihiv. Sulmet e tilla të tmerrshme duhet të ndalen. Ne po i shqyrtojmë të gjitha opsionet e disponueshme për ta siguruar përgjegjësinë për çdo krim mizori në Ukrainë, thuhet nga Ambasada amerikane në Kiev.

Sot, është dita e 21 e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. 

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës duke e dënuar sulmin ushtarak rus dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë./BBC