Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Disa të rinj donin të shkrepnin në ajër armën pa leje, plagoset aksidentalisht 19-vjeçari në Shkodër

Një 19-vjeçar në Shkodër ka pësuar lëndime në këmbë pasi një armë zjarri është shkrepur aksidentalisht.

Sipas Policisë së Shtetit, 19-vjeçari me inicialet S.B. kishte shkuar afër një objekti kulti në fshatin Boks të Pastribës, me një armë zjarri me vete, për të qëlluar në ajër. Aty kishte qenë një 15-vjeçar dhe disa të rinj të tjerë.

I njëjti ia ka dhënë armën e zjarrit 15-vjeçarit, që të qëllonte edhe ai në ajër dhe në momentin kur ka dashur t’ia marrë armën 15-vjeçarit, arma është shkrepur në këmbën e 19-vjeçarit.

“Në momentin që shtetasi S. P. ka dashur t’ia marrë armën 15-vjeçarit, arma është shkrepur aksidentalisht edhe për pasojë është plagosur në këmbë shtetasi S. P” – ka njoftuar Policia.

Sipas njoftimit, 19-vjeçarit i është sekuestruar arma të cilën e kishte pa leje.

“Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes një armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje shtetasi S. P. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes” – thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se 19-vjeçari është arrestuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, ndërsa ka nisur procedimi në gjendje të lirë, pas konsultimit me prokurorin, për 15-vjeçarin, për veprën penale “Plagosja nga pakujdesia”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, më 31 dhjetor 2022.