Qeset e plastikës, Foto: Freepic.com

Disa lloje të qeseve të plastikës bëhen me pagesë në Kosovë

Qytetarët e Kosovës do të paguajnë për disa lloje të qeseve plastike pas hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ për “Ambalazhin dhe Mbeturinat e Ambalazhit“, ka bërë të ditur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

Sipas tij, qeset plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej 25 deri 50 mikron, vihen në treg me një çmim shitjeje prej së paku 5 cent që paguhet nga konsumatori.

Prej 5 centëve, dy cent tarifë kalojnë në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Aliu ka bërë të ditur se për disa lloje të qeseve do të ndalohet prodhimi, importi e shitja në treg.

“Ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza me trashësi nga 0 deri në 25 mikron, e qeseve plastike mbajtëse të okso-degradueshme, ndalohet vendosja e: llogos, markës tregtare, slloganit, emrit të prodhuesit ose shitësit, në qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej 25 deri 50 mikron”- ka njoftuar ai.

Po ashtu, sipas udhëzimit për çdo qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë e shitur, duhet të evidentohet në kuponin fiskal i cili i lëshohet konsumatorit nga shitësi.

Njoftimi i plotë:

Thuaj JO qeseve plastike njëpërdorimshe, për një mjedis të shëndetshëm për të gjithë.

-Ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza me trashësi nga zero (0) deri në njëzetepesë (25) mikron.

-Ndalohet prodhimi, importi dhe shitja në treg e qeseve plastike mbajtëse të okso-degradueshme.

-Ndalohet vendosja e: llogos, markës tregtare, slloganit, emrit të prodhuesit ose shitësit, në qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej njëzetepesë (25) deri pesëdhjetë (50) mikron.

-Qeset plastike mbajtëse me peshë shumë të lehtë pa dorëza vihen në treg pa tarifë prej zero pikë zero dy (0.02) euro dhe pa pagesë për konsumatorin.

-Qeset plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej njëzetepesë (25) deri pesëdhjetë (50) mikron vihen në treg me një çmim shitjeje minimal detyrues prej së paku zero pikë zero pesë (0.05) euro që paguhet nga konsumatori, ku prej tyre zero pikë zero dy (0.02) euro tarifë kalojnë në buxhetin e Republikës së Kosovës.

-Për qeset plastike mbajtëse me dorëza mbi pesëdhjetë (50) mikron nuk do të vendoset çmim shitjeje minimal detyrues e as tarifë prej zero pikë zero dy (0.02) euro.

-Për qeset e plastikës biodegraduese të kompostueshme të çfarëdo madhësie dhe trashësie, me një ҫertifikatë përkatëse që vërteton që qeset e plastikës janë nga materiali i biodegradueshëm dhe i kompostueshëm, nuk do të vendoset çmim shitjeje minimal detyrues e as tarifë prej zero pikë zero dy (0.02) euro.

-Çdo qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë e shitur, për të cilën zbatohet ҫmimi minimal detyrues, duhet të evidentohet në kuponin fiskal i cili i lëshohet konsumatorit nga shitësi.

-Prodhuesit e qeseve plastike i dërgojnë Agjencisë raport më së largu deri me datë 31 mars të vitit vijues, për numrin e qeseve të prodhuara në vitin paraprak, në formën e përcaktuar nga Agjencia.

-Në qeset plastike mbajtëse me peshë të lehtë me dorëza prej njëzetepesë (25) deri pesëdhjetë (50) mikron, vendoset:

– shenja e numrit dhe shkurtesës së materialit të ambalazhit;

– shenja për riciklim;

– barkodi;

– niveli i trashësisë së përcaktuar në mikron, dhe

– viti i prodhimit.

-Deri më 31 dhjetor 2024, niveli i përdorimit vjetor nuk kalon njëqindetetëdhjetë (180) qese plastike mbajtëse me peshë të lehtë për person.

Nga viti 2023 pritet që qeset e plastikës të kushtojnë deri në 10 centë në Kosovë