Dhjetëra bastisje për kapjen e Tush Frrokut - pa rezultat, i dyshuari për vrasjen në Klinë u dorëzua vetë në Polici

Dhjetëra bastisje janë kryer nga Policia për gjetjen e Tush Frrokut, i dyshuar për vrasjen që ka ndodhur në Klinë më 7 gusht, por pa rezultat.

Në fund, i dyshuari është dorëzuar sot vetë në Polici.

Tush Frroku ishte shpallur person në kërkim nga pasditja e 7 gushtit, pasi ishte i dyshuari për vrasjen që ndodhi në një lokal në Klinë.

Megjithëse nuk ishte gjetur në asnjërin lokacion të bastisur, institucionet vlerësojnë se këto dhjetëra bastisje kanë ndikuar që Frroku të dorëzohej.

Lidhur me rastin, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë se ka pasur kërkim intensiv për kapjen e të dyshuarit.

“Nga momenti i vrasjes së ndodhur në Klinë, Policia e Kosovës me autorizimin e Prokurorit të Shtetit ka shpallur në kërkim të dyshuarin Tush Frroku dhe ka pasur kërkim intensiv për kapjen e tij, ku janë bërë dhjetëra bastisje në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe kjo ka ndikuar të sigurohet prezenca e të pandehurit për zhvillimin e procedurës penale” – tha ai.

Nikçi ka treguar se i pandehuri me urdhër të prokurorit të shtetit do të ndalohet fillimisht për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Një person u vra me armë zjarri në një lokal në Klinë pasditen e 7 gushtit, ndërsa i dyshuari kishte ikur nga vendi i ngjarjes me një veturë të grabitur.

KALLXO.com ka siguruar pamjet e kamerave të kafeterisë, në të cilën shihet se si i dyshuari 48-vjeçar Tush Frroku futet në lokal, shkon në drejtim të viktimës, e qëllon me armë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Dorëzimi i personit të dyshuar për vrasje në Klinë, detaje nga Prokuroria