Detaje nga arrestimi i hetuesit policor në Obiliq

Një zyrtar policor me pozitë të hetuesit në stacionin e Policisë në Obiliq është arrestuar sot nën dyshimin se kishte marrë 1 mijë euro për të interferuar në hetimet në një rast penal.

Siç mëson KALLXO.com hetuesi policor paratë i kishte marrë nën pretendimin se do të interferojë në një denoncim, të cilin pala e kishte në hetime rajonale të Policisë.

Hetuesi me inicialet B.H. edhe para disa javësh ishte suspenduar nga puna e tij nën dyshimin se kishte goditur me veturë një person.

Ai ishte arrestuar më 23 janar pasi dyshohet se goditi një të mitur. Aksidentin polici e kishte shkaktuar deri sa ishte jashtë detyrës zyrtare.

Inspektorati Policor i Kosovës më herët njoftoi se i arrestuari po dyshohet se ka kryer veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit, dhe – marrje ryshfeti.

Hetimet në këtë rast kishin filluar kohë më parë me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës, Departamentin e Krimeve të Rënda.

“Pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, sot rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor” – u tha në komunikatën e Inspektoratit Policor.

Tutje u njoftua se prokurori kompetent ka marrë vendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit për 48 orë.

Po ashtu u njoftua se hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.