Seanca 09.11.2023

Dështon sërish seanca ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq

Të enjten në Gjykatën e Prishtinës, dështoi të mbahej seanca e paraparë ndaj Dragan Jabllanoviqit dhe të tjerëve të akuzuar për krim të organizuar, meqë njëri nga të akuzuarit ka probleme shëndetësore.

Të paktën kështu u tha në seancë për të pandehurin Aleksandar Açkoviq, për të cilin u prezantua edhe një dokument shëndetësor – stomatologjik.

Me këtë dokument nuk u mjaftua gjykatësja e rastit Violeta Namani, e cila obligoi mbrojtjen e të akuzuarit të sillte raporte më të detajuara.

Për këtë të akuzuar, u shqyrtua edhe mundësia e caktimit të paraburgimit, por prokurorja Merita Bina tha të presin edhe në seancën e radhës.

“Po presim edhe për seancën e radhës, nëse mungon edhe atëherë procedojmë për masë të sigurisë ndaj tij” – u shpreh prokurorja Merita Bina- Rugova në seancë.

Kjo është seanca e katërt e cila nuk po arrinë të mbahet ky gjykim.

Më 8 qershor të këtij viti, gjykimi kishte dështuar të mbahej meqë kishin munguar dy të akuzuar, Xhemajl Ferizi dhe Haki Haxhiu.

Më 16 shkurt të po këtij viti, kishte munguar avokati Sabit Rama, që mbronte Mehdi Haxhiun.

Kurse në dhjetor të vitit 2022, seanca nuk ishte mbajtur për shkaqe shëndetësore të të akuzuarit Dragan Jabllanoviq.

Prokuroria Speciale akuzon Dragan Jabllanoviqin, Haxhi Bejtën, Aleksandar Açkoviqin, Xhemajl Ferizin, Haki Haxhiun, Mehdi Haxhiun, Aleksandar Kostiqin, Çedomir Timotijeviqin, Mensur Ramajn, Mirosllav Ivanoviqin, Bojan Banoviqin, Nijazi Musliun, Ivan Kadiqin, Jellica Baraqin dhe Boban Millovanoviqin, se gjatë periudhës kohore 2015-2017 aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Trupi gjykues  është në përbërje nga Violeta Namani – kryetare, Suzana Qerkini dhe Vesel Ismaili – anëtarë.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Prokuroria gjithashtu Dragan Jabllanoviqin e akuzon se në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të akuzuarin Haxhi Bejtën si drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit, kurse të akuzuarve të tjerë i njëjti ju ka caktuar detyra të ndryshme në prokurim për tenderë me vlerë disa milionë euro.

Seanca e ardhshme lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më 27 nëntor, ku do të ketë dëgjiim të dëshimtarëve,

Për lajme të tjera lidhur me këtë rast mund t`i ndiqni duke klikuar këtu- LINK