Dështon seanca ndaj ish kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq

Ka dështuar të mbahet seanca e sotme ndaj ish kryetarit të Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe 14 të tjerëve të akuzuar për për krim të organizuar.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Arsyeja për dështimin e seancës erdhi për shkak të mungesës së dy të akuzuarve Xhemajl Ferizi (për arsye shëndetësore) dhe Haki Haxhiu, këtij të fundit sipas mbrojtësit të tij, Ahmet Tahiri  i është anuluar fluturimi pasi që i njëjti gjendej në Afrikën e Jugut.

Tutje njëri nga të akuzuarit, Dragan Jabllanoviq propozoi gjykatës që seancat e radhës të mos caktohen këto ditë deri në stabilizimin e gjendjes në veri pasi që ndihen të pasigurt.

“Kam një propozim për situatën në veri nuk ndjehemi të sigurt, unë ju lutem juve si trup gjykues, unë kam dëshirë që sa më shpejt me u kry, mirëpo ju lutem që të ndërpresim dhe të presim deri sa të kaloj kjo situatë, kjo mundet edhe gjatë vikendit të eskaloj, deri në vikend edhe Qeveria e Kosovës do të deklarohet se a e pranon marrëveshjen apo jo…, presim pak deri sa të qetësohet gjendja në veri”- u shpreh Jabllanoviq.

Trupi gjykues në përbërje me Violeta Namani, kryetare, Suzana Qerkini dhe Vesel Ismaili, anëtarë të trupit gjykues, njoftuan palët që seanca e sotme nuk do të mbahet në mungesë të të akuzuarve, kurse seanca që ka qenë e paraparë të mbahet nesër për këto arsye do të anulohet.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet me 26 korrik 2023.

Prokuroria Speciale akuzon Dragan Jabllanoviqin, Haxhi Bejtën, Aleksandar Açkoviqin, Xhemajl Ferizin, Haki Haxhiun, Mehdi Haxhiun, Aleksandar Kostiqin, Çedomir Timotijeviqin, Mensur Ramajn, Mirosllav Ivanoviqin, Bojan Banoviqin, Nijazi Musliun, Ivan Kadiqin, Jellica Baraqin dhe Boban Millovanoviqin, se gjatë periudhës kohore 2015-2017 aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Prokuroria gjithashtu Dragan Jabllanoviqin e akuzon se në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të akuzuarin Haxhi Bejtën si drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit, kurse të akuzuarve të tjerë i njëjti ju ka caktuar detyra të ndryshme në prokurim për tenderë me vlerë disa milionë euro.

Për lajme të tjera lidhur me këtë rast mund t`i ndiqni duke klikuar këtu- LINK