Foto: Ilustrim

Dështimi i dyfishtë institucional për të mbrojtur një fëmijë nga trafikimi e dhunimi

Brenda 3 muajve, një vajzë rreth moshës 11-vjeçare nga Prishtina, fillimisht e raportuar e zhdukur, po dyshohet se një herë  ishte viktimë e trafikimit, e ende pa marrë epilog hetimi lidhur me këtë rast, dyshohet se u bë  viktimë e dhunimit seksual nga 5 persona.

11-vjeçarja që po dyshohet se u dhunua nga 5 persona më 27 gusht, ka qenë para dy muajve e regjistruar si viktimë e trafikimit në Zyrën për Mbrojtje të Viktimave.

E Prokuroria ka dosje të hapur në të cilën po zhvillohen hetimet. Sipas këtyre te fundit në muajin qershor viktima ishte raportuar si person i zhdukur, e pas gjetjes së saj është dërguar në strehimore.

Por, Prokuroria e Prishtinës nuk ka ofruar informacion pse 11-vjeçarja në kohën kur ka ndodhur dhunimi nuk ka qenë në strehimore, pasi paraprakisht ishte vendosur atje nga organet e ligjit.

11-vjeçarja do të duhej të ishte nën mbikëqyrjen e organeve shtetërore në kohën kur kishte ndodhur ngjarja – dhunimi i dyshuar seksual nga pesë persona.

Pas vendosjes së saj në strehimore, me saktësisht dy muaj pas, e njëjta po dyshohet që është dhunuar nga 5 persona.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga i tërë zinxhiri institucional për të kërkuar informacion si ka rrjedhur ngjarja qe një e mitur 11-vjeçare që dyshohet se ka qenë viktimë e trafikimit është lënë jashtë mbikëqyrjes së shtetit.

KALLXO.com që nga dita e djeshme ka tentuar që të marrë përgjigje nga Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, në lidhje me trajtimin e këtij rasti ku dyshohet se 11-vjeçarja ka qenë viktimë e trafikimit por asnjë nga këto institucione përgjegjëse deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë dhënë asnjë detaj.

Burime të ndryshme kanë sqaruar se për këtë ngjarje ka një urdhër nga hetuesia që të mos flitet me qëllim që skandali i dështimit të mbrojtjes së viktimës të mbahet larg syve të publikut.

Në një prononcim për KALLXO.com, drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, ka lënë të nënkuptohet se vajza kishte dosje të mëhershme si viktimë.  E njëjta ka thënë se rasti i 11-vjeçares ku dyshohet se ka qenë viktimë e trafikimit me qenie njerëzore është trajtuar dhe nuk është neglizhuar.

“Ka shku konform protokollit. E kuptojmë sensivitetin e ngjarjes. Konform përgjegjësisë së tyre, punëtorët socialë e kanë trajtu rastin, janë marrë me rehabilitimin e viktimës për aq sa ka pasur hapësirë dhe kohë. Dhe ne ende jemi në trajtim të rastit. Nuk është neglizhu rasti, nuk është shpërfillë situata, është trajtu qysh në fillim, kur ka ndodhur gjithçka” – ka thënë Sahiti.

Pretendimet për dhunimin e 11-vjeçares morën vëmendjen e shtuar të publikut pas zbulimit që personat e dyshimtë kishin edhe precedentë të mëhershëm penalë. Deri më tani duke u thirrë në përgjegjësinë për mostrajtimin e duhur të kësaj ngjarjeje dorëheqje ka dhënë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe drejtori i Qendrës Korrektuese në Lipjan, Ali Gashi.

Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.

Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat i ishin afruar 11-vjeçares dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prekte me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr 11-vjeçares rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.