Deputeti Geci: Hashim Thaçin do ta përcjellë i njëjti fat si Naim Murselin
Deputeti i Kuvendit të Kosovës i Partisë Guxo (pjesë e grupit parlamentar të LVV-së), Fatos Geci, ka ngjallur reagim të ashpër nga PDK në seancën e sotme, 21.04.2026, kur pasi përshëndeti dënimin e Naim Murselit me burgim të përjetshëm dhe tha se të njëjtin fat do ta ketë edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Gjykatën Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë fjalës së tij, Geci përshëndeti vendimin e Gjykatës së Prishtinës, e cila sot, më 21.04.2026, ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën dhe me 30 vjet burgim Kushtrim Kokallën.
Ata po gjykoheshin për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e cila ishte bashkëshortja e Naim Murselit.
Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
“Sot dua të përshëndet vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe ju (PDK) që shpresoni që një ditë lideri juaj suprem (Hashim Thaçi) do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat. Por, edhe po të lirohet, nuk ka kurrfarëë kredibiliteti përballë figurës së kryeministrit Kurti” – deklaroi Geci të martën më 21.04.2026.
Kjo deklaratë nxiti reagim të menjëhershëm nga deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila e cilësoi të papranueshme gjuhën e përdorur në foltoren e Kuvendit.
“Nuk kisha besuar kurrë që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës vjen një lutje në formë urimi për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi”- tha Çitaku.
Çitaku i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të distancohet nga deklarata e deputetit të saj.
Në përgjigje, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, theksoi qëndrimin e partisë për luftën çlirimtare, duke e cilësuar atë “të drejtë dhe të pastër” dhe duke shprehur respekt për të gjithë kontribuuesit për lirinë e vendit.
“Në lidhje me luftën çlirimtare të UÇK qëndrimet tona janë publike, të qarta dhe qëndrojmë pas tyre. Lufta ka qenë e drejtë, e pastër dhe respektojmë përpjekjet e të gjithë atyre që kanë kontribuar për lirinë e vendit” – u shpreh Nagavci.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u distancua nga deklarata e Gecit, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson as qëndrimin e saj personal, as të Kuvendit dhe as të LVV-së.
Sipas saj, një distancim i tillë është i kuptueshëm.
Me kërkesë të PDK-së Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme në lidhje me çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike.
Në shkurt të këtij viti, katër eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dhënë deklaratat përfundimtare në gjykimin e tyre në Gjykatën Speciale.
Ata thanë se janë të pafajshëm, duke u shprehur se kauza për të cilën luftuan ishte e drejtë dhe çlirimtare.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27.02.2023. Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.
Për të gjitha këto krime të pretenduara prokurori Jack Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.
Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera, të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.
Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje 10 net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.
Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.
Aty përshkruhet edhe për 6 vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, 6 burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.
Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 1998, një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë, në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.
Në këtë aktakuzë Prokuroria e Specializuar nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe atë që e cilëson si qendra e paraburgimit në Kleçkë.
Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.
Sipas aktakuzës një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.
Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë kurrë më.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.
Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.
Për aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Sipas aktakuzës Thaçi, si dhe Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu akuzohen për ndikim në dëshmitarë. Smakaj dhe Fazliu më 10.02.2026 janë liruar me kusht. Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, koha që Smakaj dhe Fazliu kanë kaluar në paraburigm tejkalon dënimin minimal që do të merrnin nëse dënoheshin për këtë vepër penale.
Themelimi i Gjykatës Speciale
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar më 2015 nga Kuvendi i Kosovës.
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.
Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë me 26 vjet dënim me burgim për krime lufte, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim.
Supremja vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.
Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme. Ndërsa, më 26.02.2025 Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për Salih Mustafën.
Pjetër Shala, i njohur me nofkën komandant “Ujku”, u dënua fillimisht me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte, mirëpo Shalës i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 18 në 13 vjet dënim me burgim unik.