Deputetët serbë largohen nga salla e Kuvendit menjëherë pas betimit

Nëntë kandidatë nga Lista Serbe dhe një kandidat nga partia GI SPO janë betuar sot si deputetë në Kuvendin e Kosovës.

10 deputetët serbë kanë lëshuar sallën e parlamentit menjëherë pasi kanë kryer procedurën e betimit në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët që u betuan sot në fillim të seancës, me kërkesë të Kuvendit dhe me rekomandim të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, do të zëvendësojnë deputetët e dorëhequr nga Lista Serbe.

Betohen deputetët e rinj nga komuniteti serb në Kuvendin e Kosovës

Kandidatët e Listës Serbe tashmë deputetët Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Olivera Zdravkoviq, Millan Joksimoviq, Ksenia Bozoviq, Rados Mihajlloviq, Nenad Radenkoviq, Svetisllav Jokiq, Biljana Maksiq dhe kandidati nga partia tjetër serbe GI SPO, Cvetko Velkoviq kanë zëvendësuar deputetët e dorëhequr.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur  në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.