Deliu- Kodra: Taksa u propozua nga Hoxhaj e Veseli

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra ka thënë se taksa ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, ka qenë propozim i PDK-së, përkatësisht  kryetarit Kadri Veseli dhe nënkryetarit, Enver Hoxhaj.

Por, sipas saj, kjo taksë duhet të pezullohet në një kohë prej 120 ditëve.

“Taksa është vendosur me propozim të zëvendës kryeministri Enver Hoxhaj, pastaj nga z. Veseli 100%, por PDK e ka thënë qartë që taksa duhet të jetë e drejtuar në raport me agresionin e Serbisë dhe kurrsesi ndaj aleatëve tanë ndërkombëtar e aq më pak luftë më të. Ne e kemi pasur një propozim të qartë që taksa të pezullohet në një fazë prej 120 ditëve dhe ne kemi propozuar që pas kësaj faze të kemi reciprocitet me Serbinë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, koordinimi për pezullim e taksës është në koordinim me miqtë ndërkombëtarë.

“Kemi menduar që Kosova duhet t’i përgjigjet Serbisë në raport me c’njohjet që nuk ka qenë aspak e lehtë. Ne kemi propozuar që 120 pezullim të taksës dhe këtë e kemi bërë me miqtë tanë ndërkombëtar”, tha ajo.

Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si reagim ndaj lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar vazhdimisht suspendimin e kësaj mase për t’i lënë rrugë vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.