Deklarata e përbashkët e disa vendeve për situatën në Afganistan, në mesin e tyre edhe Kosova

Gjendja në Afganistan, pas tërheqjes së trupave amerikane është rënduar. Së fundmi nga vendi u largua edhe presidenti afgan, Ashraf Ghani, siç tha ai, për të shmangur gjakderdhjen.

Sot, përmes një deklarate për media disa vende të botës, duke përfshirë Kosovën e Shqipërinë, dolën me një deklaratë publike të cilën e publikoi Departamenti i Shtetit Amerikan.

“Duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë, ne mbështesim, po punojmë për të siguruar dhe i bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë dhe lehtësojnë, largimin e sigurt dhe të rregullt të shtetasve të huaj dhe afganëve që dëshirojnë të largohen nga vendi. Ata që janë në pozita të pushtetit dhe autoritetit në të gjithë Afganistanin mbajnë përgjegjësi – dhe llogaridhënie – për mbrojtjen e jetës dhe pronës njerëzore, dhe për rivendosjen e menjëhershme të sigurisë dhe rendit civil”, thuhet në deklaratë.

Mes tjerash, në deklaratë thuhet se bashkësia ndërkombëtare është e gatshme t’i ndihmoj të gjithë qytetarët afganë që kanë nevojë.

“Afganët dhe qytetarët ndërkombëtarë që dëshirojnë të largohen duhet të lejohen ta bëjnë këtë; rrugët, aeroportet dhe vendkalimet kufitare duhet të qëndrojnë të hapura dhe qetësia duhet të ruhet. Populli afgan meriton të jetojë në siguri dhe dinjitet. Ne në bashkësinë ndërkombëtare jemi gati t’i ndihmojmë ata”, thuhet në deklaratë.

Këto janë vendet që janë përfshirë në këtë deklaratë: Shqipëria, Australia, Austria, Bahamas, Belgjika, Burkina Faso, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Côte d’Ivoire, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka , Republika Dominikane, El Salvador, Estoni, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Shtetet Federale të Mikronezisë, Fixhi, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Gana, Greqia, Guatemala, Guajana, Haiti, Honduras, Islanda, Irlanda, Italia, Japonia, Kosova, Letonia, Liberia, Lihtenstein, Lituania, Luksemburgu, Malta, Ishujt Marshall, Mauritania, Mali i Zi, Nauru, Hollanda, Zelanda e Re, Nigeri, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Palau, Panamaja, Paraguai, Polonia , Portugalia, Katari, Republika e Koresë, Republika e Qipros, Rumania, Sierra Leone, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Surinami, Suedia, Togo, Tonga, Uganda, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe Jemeni.

Qeveria e Kosovës së fundmi ka hapur linjat emergjente telefonike për t’i ndihmuar shtetasit kosovarë që jetojnë në Afganistan.