Dedaj në Hagë, e mohon se ishte arrestuar nga UÇK-ja, dhe thotë se nuk e pa Thaçin në Qirez

Dëshmitari Gjergj Dedaj ka thënë se gjatë vizitës në Qirez nuk janë ndaluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe se ai nuk e ka parë Hashim Thaçin.

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj,  është ‘penduar’ dhe ka mohuar një pjesë të dëshmive dhe deklaratave që i ka dhënë.

Dedaj ka refuzuar të pohojë se ai ishte i arrestuar nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë nuk kam qenë nën arrest, kam qenë i arrestuar nga forcat serbe”- deklaroi Dedaj.

Dedaj po ashtu e ka mohuar se në Qirez ka qenë Hashim Thaçi.

“Nuk e kam parë kurrë në jetën time, as në Prishtinë, as në Qirez. Tek në Baicë, disa orë pasi ka ndodhur rasti”- pohoi Dedaj.

Prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij në vitin 2014, ku ai kishte thënë se e njihte Hashim Thaçin sepse kishte dhënë intervistë në gazetë, dhe atë e quanin ‘Gjarpri’ dhe Sabit Geci ishte aty.

“Ka mundësi që ajo intervistë të jetë pas këtyre ngjarjeve, dhe atëherë e kam njohur Hashim Thaçin. Atë e kam takuar për herën e parë në Baicë, dhe në Paris në Rambuje”- u përgjigj dëshmitari.

Prokurorja ka njoftuar se Thaçi vetë ka pranuar se ka qenë në Qirez, por Dedaj nuk e mohoi.

“Mundem me u përgjigj për veten, dhe jam përgjegjës për veprat e mia”- deklaroi Gjergj Dedaj.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.